Klinika e ORL-së ka probleme me furnizim me material shpenzues. Për fëmijët që pësojnë humbje të dëgjimit për shkak të infeksioneve të ndryshme, prindërit duhet t’i blejnë vetë gypat për ajrizim që vendosen për rikthim të dëgjimit. Në Klinikë tregojnë se herë pas here kanë mungesa edhe të materialit shpenzues dhe të materialeve të tjera specifike. E SHSKUK-ja nuk ka kthyer përgjigje lidhur me mosfurnizimet.
Klinika e Otorinolaringologjisë ka mungesë të gypave, të cilët vendosen në vesh pas ndonjë infeksioni, për të realizuar ajrizimin artificial të veshit të mesëm, me qëllim për të kthyer dëgjimin.
Megjithëse ky intervenim kirurgjikal aplikohet në këtë klinikë qysh para luftës, stafi mjekësor asnjëherë nuk ka pasur material të nevojshëm për ta kryer atë.
Një familjare e një fëmije, që nuk pranoi të deklarohej para kamerës, tregoi se është detyruar t’i sigurojë vetë gypat.
“Për shkak se fëmijës tim ka filluar t’i humbë dëgjimi për shkak të një infeksioni, më është kërkuar që t’i vendosen gypat për ajrizim. Më është dashur t’i kërkoj nëpër barnatore që t’i siguroj vetë, me i ble”, ka theksuar ajo.
Doktoresha Emine Ramku-Mekolli tregon se një nga patologjitë që i paraprin vendosjes së gypave në vesh është mbledhja e sekretit në veshin e mesëm. Thotë se intervenimet më të shpeshta kryhen te fëmijët deri në moshën 12-vjeçare.
“Gypat për ajrizim janë disa turbula të cilat vendosen në membranën ose perden e veshit, cipën e veshit. Roli i këtyre turbulave është që ta bëjnë ajrizimin në mënyrë artificiale të veshit të mesëm, është arsyeja e parë, e dyta është drenimi ose kullimi i përmbajtjes së veshit të mesëm në kanalin e jashtëm të dëgjimit. Këto munden me qenë të materialeve të ndryshme; nga polietileni, titaniumi, ari, etj.”, ka deklaruar Ramku-Mekolli.
Ky intervenim i hapjes së veshit për t’u vendosur gypat ka kosto të madhe financiare në spitalet private.
Drejtori i Klinikës së ORL-së, Arsim Behramaj, thotë se janë bërë disa herë kërkesa për furnizim.
“Klinika nuk posedon me gypa për ajrizim. Pacientët duhet vetë t’i sigurojnë në këto barnatoret që i shesin me shumicë, në këto depot farmakologjike ose depot mjekësore, dhe ne pastaj ua vendosim. Mirëpo ne nuk kemi të drejtë me mbajt këtu dhe me mbajt shitjen e tyre. E kemi adresuar këtë problem edhe në QKUK, po të shohim tash ka procedura të tenderimit, duhet me i ba disa specifika dhe te shohim. Materiali i zakonshëm nuk është keq. Po flasim më shumë për aspektin e këtyre implanteve, ndonjë pajisje më të veçantën që duhet me vendos, tanula, e të tjera”, ka theksuar Behramaj.
Për mungesën e këtyre gypave dhe materialit tjetër shpenzues, Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar nuk ka kthyer përgjigje.
Javë më parë KOHA pati raportuar se si mbi 100 produkte – barna e material shpenzues mungojnë vetëm në QKUK, e të cilat duhet të sigurohen nga pacientët.
Po ashtu, KOHA pati raportuar se rreth 1 milion e 300 mijë euro për barna dhe për material shpenzues, dedikuar për vitin 2022, kanë shkuar në suficit, shkaku që menaxhmenti dështoi t’i përfundonte proceset e prokurimit.