Pas emërimit të djalit të Fatmir Limajt, Durim Limaj shef i kabinetit të Ministrit të Tregtisë, Bajram Hasani ka vazhduar punësimin e familjarëve të bashkëpartiakëve të tjerë, në këtë ministri.
Kësaj radhe është punësuar nipi i ish deputetit të Nismës për Kosovë, aktualisht kryetar i këshillit të NISMË-s, Jakup Krasniqi.
Më 5 korrik të këtij viti, Taulant Krasniqi me 85.3 pikë të marra nga komisioni ka arritur të bëhet inspektor i tregut për Divizionin për cilësi dhe tregti të naftës dhe derivateve të saj.
Lidhur me këtë, ministri Hasani ka thënë se nuk është në dijeni, pavarësish se dikasteri i lartpërmendur është në kuadër të ministrisë që ai drejton.
Tërë përgjegjësinë ministri ia ka hedhur administratës dhe sekretarit të përgjithshëm, Burim Rreci.
KohaVisioni ka provuar të marrë edhe qëndrimin e këtij të fundit por kabineti i tij ka thënë se ai gjendet në një takim në nivel sekretarësh, andaj nuk mund të flasë gjatë tërë ditës.
Edhe
Nipi i Jakup Krasniqit inspektor i naftës në ministrinë e NISMA-s
Vetë Taulant Krasniqi përmes një përgjigjeje elektronike nuk ka pranuar se xhaxhai i tij i ka ndihmuar në punësim.
“Konkursi ka qenë publik. E kam shfrytëzuar të drejtën time si qytetar i lirë i Kosovës. Axha ka punë tjera. Apo, nëse e kam axhë bacin Jakup, kjo nuk ma merr të drejtën për punësim”, ka thënë Taulant Krasniqi, inspektor në Divizionin e naftës.
Ndërsa, thirrjes telefonike nuk i është përgjigjur ish deputeti, Jakup Krasniqi.