Terminologjia e përdorur në marrëveshjet e nënshkruara në Samitin e Berlinit është neutrale ndaj statusit, krahas fusnotës që i është vendosur Kosovës. Burime të afërta me këto zhvillime kanë thënë se kjo është bërë për të shmangur pengesat e mundshme me rastin e ratifikimit të marrëveshjeve në parlamentet respektive, duke iu referuar problemeve Kosovë-Serbi, por edhe mosnjohjes së Kosovës nga Bosnjë-Hercegovina, shtet ky që është pajtuar për lëvizjen e lirë vetëm me dokumente të identifikimit
Terminologji neutrale është përdorur në tri marrëveshjet e nënshkruara këtë javë në Samitin e Berlinit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është bërë me qëllim që të shmangen bllokadat e mundshme në parlamentet përkatëse, të cilat brenda vitit 2023 duhet t’i ratifikojnë dokumentet.
Një diplomat evropian, që ishte pjesë e Samitit të Berlinit, tha se me këtë janë marrë parasysh mospajtimet midis Kosovës e Serbisë rreth statusit, por edhe ato me Bosnjë-Hercegovinën, që gjithashtu nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.
“Këto marrëveshje nuk i ndryshojnë qëndrimet e palëve sa u përket atyre që e njohin dhe nuk e njohin Kosovën. Marrëveshjet e nënshkruara nuk nënkuptojnë njohje të Kosovës, por po ashtu nuk janë përsëritje e qëndrimit të Serbisë. Qëllimi është që këto marrëveshje të ratifikohen sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të hyjnë në fuqi dhe që implementimi të jetë i shpejtë”, ka thënë burimi.
Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan Marrëveshjen mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor; Marrëveshjen mbi njohjen e diplomave të arsimit të lartë; si dhe Marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Evropën Qendrore.
Deri më tani finalizimi i këtyre dokumenteve pati mbetur peng i terminologjisë. Kjo, ngase Serbia insistonte që referencë të jenë edhe marrëveshjet e Brukselit duke e vendosur Kosovën në pozicion të pabarabartë me shtetet e tjera.
Kompromisi ishte që Republika e Kosovës të paraqitet me fusnotë në tri marrëveshjet e nënshkruara të enjten. Këshilltari i kryeministrit, Jeton Zulfaj, në “Desk” të KTV-së tha se “kjo është pjesë e pajtimit të mëhershëm”.
“Asterisku është në marrëveshjen kur u referohemi shteteve, mirëpo është pjesë e pajtimit që është bërë më herët në kontekstin e bashkëpunimit rajonal. Është e vetmja shenjë që e kemi trashëgimi në këtë proces të bashkëpunimit rajonal. Pjesa tjetër është me qytetarë, legjislacion të secilës palë”, ka deklaruar Zulfaj.
Në dokumentin e konkluzioneve të gjitha vendet trajtohen barabar. Aty pjesëmarrësit riafirmuan rolin kyç të Procesit të Berlinit, si një shtytës i bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtues i procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
“Ata theksuan formatin e tij të rëndësishëm gjithëpërfshirës që i trajton të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor si të barabarta, i cili shërben si katalizator për integrimin ekonomik, investimet dhe projektet e lidhjes që synojnë nxitjen e pajtimit, sigurisë, rritjes, punësimit dhe prosperitetit”, thuhet në marrëveshje.
Në konkluzione u përfshi edhe migrimi, si problematikë që mund të jetë sfiduese për të gjithë pjesëmarrësit e Procesit të Berlinit. Me këtë rast janë kërkuar masa të qëndrueshme dhe të koordinuara, si përgjigje ndaj problematikës.
“Këto masa përfshijnë veprime të synuara kundër kontrabandës dhe trafikimit të emigrantëve dhe refugjatëve, menaxhim efektiv të kufirit, krijimin e sistemeve të qëndrueshme të azilit dhe migrimit, si dhe procedura të besueshme për kthimet në vendet e origjinës”, thuhet në marrëveshje.
Manuel Sarrazin, përfaqësues i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, në një video-takim me gazetarë tha se Ballkani Perëndimor është prioritet për shtetin e tij që do t'i shohë që të gjashtë vendet e rajonit si anëtare të plota të BE-së.
“Nënshkrimi i tri marrëveshjeve për lëvizjen e lirë në Samitin e këtij viti në kuadër të Procesit të Berlinit është një moment historik në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, për të cilin ishte rënë dakord nga gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Sofjes, në vitin 2020. Tani është e rëndësishme që marrëveshjet të ratifikohen sa më shpejt që të jetë e mundur në të gjashtë vendet në mënyrë që ato të hyjnë në fuqi”, është shprehur Sarrazin.
Procesit të Berlinit i dhanë mbështetje edhe zyrtarët e BE-së. Presidentja e Komisionit Evropian ishte pjesëmarrëse në takim dhe institucioni që ajo drejton bëri zotimin që të ofrojë deri në 500 milionë euro mbështetje të menjëhershme për partnerët e Ballkanit Perëndimor, në fillim të vitit 2023. Kjo, me qëllim të ballafaqimit të rritjes së çmimit të energjisë elektrike për biznese dhe për familje.
Samiti i radhës në kuadër të Procesit të Berlinit do të organizohet në Shqipëri.