Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Majac të Podujevës nis kërkimi i eshtrave të një viktime të luftës së fundit

Pas gërmimeve në Izbicë të Skenderajt, javën e kaluar, Instituti i Mjekësisë Ligjore këtë të hënë ka filluar gërmimet në fshatin Majac të Podujevës, ku dyshohet se është varrosur një viktimë e luftës së fundit.

Drejtori i Institutit, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se ata kanë paraparë që dy ditë të gërmojnë në këtë lokacion, raporton KTV.

Pas këtij lokacioni, gërmimet, sipas tij, do të vazhdojnë në fshatin Polac.

Gërmimet në Izbicë të Skenderajt ku dyshohej se mund të kishte trupa të shqiptarëve të varrosur gjatë luftës, përfunduan pa ndonjë rezultat.

Në këtë lokacion kanë qenë të varrosur 137 trupa të shqiptarëve, të cilët më pas ishin zhvarrosur nga forcat serbe dhe ishin rivarrosur në pesë lokacione të ndryshme.

Gërmimet në Izbicë kishin nisur pas dyshimeve se aty mund të ketë ende trupa tjerë.