Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka dërguar telegram ngushëllimi për familjarët e Adem Demaçit.
“Me dhembje morëm lajmin e hidhur për vdekjen e veprimtarit të çështjes kombëtare, bacës Adem Demaçi. Sot, ne mbetëm pa kryeveprimtarin e paepur të çështjes kombëtare, i cili qe frymëzim e inspirim për breza të tërë për të realizuar të drejtat tona si popull, për të jetuar me dinjitet e të barabartë me popujt e lirë. Baca Adem, që në rininë e tij, i tha jo nënshtrimit e okupimit dhe që atëherë nisi veprimtarinë e tij për rrugën e lirisë e pavarësisë, së cilës asnjëherë nuk iu nda, ani pse gjatë veprimtarisë së tij u përball me regjime moniste totalitare, ai për asnjë moment nuk u hamend as u lëkund nga idealet e tij në rrugën e drejtë të mëvetësisë, ai qe i pathyeshëm, i papërkulur. Populli i Kosovës gjithherë do ta kujtojë bacën Adem si një ndër udhëheqësit më të mëdhenj të tij në shekullin e fundit. Me këtë rast, ngushëlloj familjen e Bacës Adem, bashkëveprimtarët, ish te burgosurit politikë dhe tërë popullin e Kosovës. Zoti e gradoftë me xhenet Bacën Adem”, shkruan Tërnava.
Vdekjen e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, simbolit të rezistencës paqësore kanë shprehur ngushëllime të tyre personalitet e jetës politike e kulturore në vend.
Ademi: Demaçi u shndërrua në udhërrëfyes të rinisë kosovare
Agim Ademi, president i FFK-së, ka ngushëlluar familjen e Adem Demaçit.
“Me pikëllim të thellë dhe trishtim morëm lajmin për vdekjen e Adem Demaçit, njeriut simbol që 28 vjet i kaloi në burgjet serbe, por asnjëherë i gjunjëzuar, ndaj ju lutem që në emrin tim, KE, klubeve dhe adhuruesve të futbollit, me lejoni të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta dhe më të thella”, thuhet në telegramin dërguar mediave.
Figura e Bac Ademit, thuhet tutje, ishte komplekse dhe kontributi i tij ishte jashtëzakonisht i madh në luftën e pakompromis për kauzën për Republikën e Kosovës, duke ja kushtuar gjithë rininë e tij e duke kaluar nëpër kazamatet e Serbisë.
“U shndërrua në simbol të rezistencës dhe udhërrëfyes i rinisë kosovare për shtetin e Kosovës. Kur nisi lufta në Kosovë ai me guximin e tij u bë përfaqësuese Politik i UÇK-së pa ju trembur syri. Bac Ademi dha një kontribut të çmueshëm si kryetar i KMLDNJ, u shqua edhe si shkrimtar që me gjak e pendë shkroi për katrahurat e popullit shqiptarë dhe si i tillë u shqua jo vetëm në Kosovë, por edhe me gjerë. Vepra dhe shëmbëlltyra e tij kanë zënë vend markant në historinë e Kosovës dhe kujtimi për te do të jetë i përjetshëm e brezat e rinj do të lartësojnë veprën e Bac Ademit. Shfrytëzoj nga rasti që të u shpreh ngushëllime edhe miqve bashkëkohanikëve, bashkëvuajtësve dhe mbarë popullit të Kosovës. Prehu në paqe dhe të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, përfundon letra nga FFK.
Ilir Deda, deputet
Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe lavdi për njeriun e vuajtjeve, të paqes, mikun e familjes - Adem Demaçi.
Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim
Baci na la! Aq i thellë dhe i gjerë është ndikimi i tij në historinë e Kosovës dhe të luftës së popullit shqiptar për liri, sa gati se lufta, përpjekjet për liri, shqiptarët e Kosova nuk mund të paramendohen pa të. Ai është frymëzim dhe simbol i një epoke të rëndë por edhe krenare. Ai është simbol universal i lirisë. Lum ne që të patëm. Sa shumë do na mungosh. Ngushëllime të gjithë shqiptarëve dhe njerëzve liridashës në të katër anët e botës.
Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së shpreh ngushëllimet më të thella me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të madh të çështjes kombëtare dhe bashkëluftëtarit tonë Adem Demaçi.
“E nderuara familje Demaçi Mbahuni e qëndroni të fortë në këto momente momente dhimbjeje. Ai nuk ishte vetëm i juaji por i mbarë kombit shqiptar sepse dihen kontributet e mëdha të tij, që dha për çështjen kombëtare.
Lavdi jetës dhe veprës së tij”, thuhet në ngishëllimin e OVL të UÇK-së.
Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së
Kryetar i BDI-së, Ali Ahmeti pas ndarjes nga jeta të veprimtarit Adem Demaçi ka theksuar se “frymëzimi jonë, simboli i rezistencës kombëtare, themeli i pavarësisë, shëmbëlltyra e përpjekjeve të gjeneratave të tëra për liri na la në moshën 82 vjeçare”.
“Frymëzimi jonë, simboli i rezistencës kombëtare, themeli i pavarësisë, shëmbëlltyra e përpjekjeve të gjeneratave të tëra për liri na la në moshën 82 vjeçare. Vepra yte Bac, shembullore; Kontributi yt, i përjetshëm. Kujtimi për ty, i pashuar. Rrudhat e tua, hartë e mundit shekullor të kombit. Dheu i Kosovës yte që e mbaje mbi shpatulla me dekada të tëra, nga nesër do ta kesh mbi gjoksin tënd krenar. Ngushëllime familjes, miqve dhe çdo shqiptari për këtë vigan. Lavdi për jetë të jetëve”, ka shkruar Ahmeti.
Partia e Drejtësisë ngushëllon të gjithë popullin shqiptar për vdekjen e atdhetarit të kombit Bacës Adem
Me dhimbje dhe pikëllim morëm lajmin e hidhur për vdekjen e veprimtarit, atdhetarit e burrit të madh të kombit, bacës Adem Demaçi.
Baca Adem ishte udhërrëfyesi i shumë brezave se si duhet të sakrifikohet për liri e atdhe. Ai vuajti 28 vite burg që zëri i popullit tonë të dëgjohet barabartë me zërin e popujve të tjerë.
Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Ai është sinonim i vet lirisë.
Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës. Me kurajën, sakrificën dhe atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai u bë simbol i rezistencës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri e barazi në trojet e veta.