Arbëri

Në kohën kur po shënohen shifra rekorde, MSH-ja e Infektivja s’japin detaje për rastet me COVID-19

Në kohën kur numri i të infektuarve me COVID-19 ka shënuar shifra rekorde në Kosovë, institucionet shëndetësore po tregohen jotransparente në dhënien e informacioneve për gjendjen me pandeminë në Kosovë.

Institucionet shëndetësore kanë filluar që të mos japin detaje për rastet e vdekjeve dhe për numrin e saktë të viktimave.

Detaje për sëmundjet e tjera shoqëruese të viktimave që kanë qenë të infektuar me COVID-19, Klinika Infektive dhe Ministria e Shëndetësisë, për herë të fundit kanë dhënë më 12 maj, derisa që nga 27 qershori kanë filluar që më të mos i tregojnë numrin e rasteve të vdekjeve brenda ditës, raporton KOHA.

Nga ajo datë e deri më 6 korrik janë raportuar 34 vdekje nga COVID-19, e që vetëm në këtë fundjavë 17 persona kanë humbur jetën, por që për vdekjet e tyre as MSH-ja e as Klinika Infektive nuk kanë dhënë asnjë informacion shtesë, por ato janë bërë të ditura vetëm në numrin total në raportin e IKSHPK-së.

Tek dy ditë pas vdekjeve të dyshimta në Infektive, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka vendosur të dalë në konferencë për media.

Madje, ditëve të fundit edhe IKSHPK-ja rezultatet e testimit po i publikon në orët e vona të mbrëmjes, gjë për të cilën po kritikohet.

Megjithatë, Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, vonesat në publikimin e rezultateve i ka arsyetuar me qëllimin që sipas tij, të publikohen vetëm rezultatet e testeve të asaj dite.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar shifra rekorde me të infektuar.

Nga 195 raste pozitive në tërë Kosovën, vetëm në Prishtinë kanë qenë 102 raste pozitive me COVID-19, duke e çuar në total numrin e të infektuarve në 3 mijë e 703.