Arbëri

Në kohën e pandemisë pati 10 për qind rritje të remitencave nga diaspora

Arbnor Mjeku nga Organizata Germin ka deklaruar se Kosova ka një diasporë të fuqishme në çdo aspekt, e sidomos në çështjen e remitencave.

Ai deklaroi në KTV se diaspora ka sakrifikuar mjaft shumë, derisa ka shtuar se në kohën e pandemisë ka pasur një rritje prej 10 për qind të remitencave, apo mbi 56 milionë euro më shumë se viteve të tjera.

“Nëse e shohim me vitin e kaluar, deri në shtator ka pasur një rritje mbi 13 për qind se sa vitet e kaluara. Ne e pranojmë që jemi pak dembelë sepse remitencat e kanë dembeluar shtetin tonë, mirëpo nuk është bërë asgjë deri më tani që këto remitenca ë kanalizohen dhe të shërbejnë për zhvillim në aspektin ekonomik”, deklaroi ai.

Sipas Mjekut, remitencat përpos të hyrave financiare, përfshihen edhe sendet materiale dhe se shumë familje në Kosovë varen nga aspekti i remitencave.

Ai ka njoftuar për një tryezë diskutimi që do të organizohet, ku do të diskutohet çështja e diasporës dhe përfitimet e mëdha për Kosovën nga ajo.

“U dëshmua që shumë familje varen nga diaspora, po ashtu ka tepër, përveç që ka pensione, ka edhe për të rinj që nuk punojnë por mbahen nga remitencat nga jashtë. Nëse shohim përqindjen e papunësisë është shumë e madhe”, tha tutje.

Ai deklaroi se të hyrat më të mëdha nga diaspora vinë nga Gjermania e Zvicra.