Arbëri

Në Istog disa persona në vetizolim

Në komunën e Istogut aktualisht nuk ka asnjë rast të shfaqur pozitiv me koronavirus.

Megjithatë disa individë dhe familje janë vendosur në vetizolim.

“Në fshatin Cercë kemi një të ardhur nga Italia me një grua të moshuar, që kanë qenë në vizitë të djali. Ata janë ardhur para dhjetë ditësh. Pastaj i kemi tre persona në Gurakoc që kanë qenë mysafirë në Itali të familjarët, si dhe një person që ka ardhur në kontakt me këta tre persona të Gurakocit. Të gjithë këta janë vetizoluar dhe gjithçka është në rregull”, tha për Kohën drejtori i QKMF-së në Istog, Ymer Vuthi.

Sipas tij edhe në fshatin Kosh, që është në kufi me komunën e Klinës, disa anëtarë të një familjeje kanë pas kontakt me shtetasen italiane të kampit të karitasit italian në komunën e Klinës, e cila është e diagnostifikuara e parë me koronavirus në Kosovë.

Një anëtar i kësaj familje është në karantinë në kampin e karitasit italian në fshatin Leskoc të Klinës, e kjo familje siç tha Vuthi është vetë izoluar dhe është pa simptoma.

“Gjithë këta i kemi vizituar dhe nuk kemi vërejtur të ata asnjë shenjë të dyshimit të simptomave. Ata janë shumë të disiplinuara dhe po respektojnë masat e izolimit dhe ne i kemi në mbikëqyrje. Në Istog është qetë dhe aktualisht nuk kemi asnjë rast të dyshuar”, tha Vuthi.