Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Gjilan shqiptohen 63 gjoba për ndotje të ajrit dhe keqpërdorim të ujit të pijshëm

Drejtoria e Inspeksionit në komunën e Gjilanit për vitin 2019 ka shqiptuar 63 gjoba mandatore për ndotje të ambientit dhe keqpërdorim të ujit të pijes kurse numri i procesverbaleve të hartuara është 1 mijë e 348.

Drejtori i inspeksionit, Nevzad Rushiti ka deklaruar se ata kanë zhvilluar aksione edhe për lirimin e hapësirave publike të cilat përbënin shqetësim për lëvizjen e qytetarëve si dhe janë rrënuar edhe gjashtë objekte të cilat gjendeshin në pronën publike të cilat pengonin zhvillimin e projekteve komunale, raporton Koha Ditore.

“Kemi bërë maksimumin për lirimin e hapësirave publike nga uzurpatorët. Nuk ka qenë e lehtë, por nuk do të ndalemi së zbatuari ligjet në fuqi. Gjatë këtij viti janë rrënuar gjashtë objekte që kanë qenë në pronën publike dhe kanë penguar zhvillimin e projekteve të Gjilanit” ka thënë Rushiti në konferencën për media e cila është mbajtur sot.

Ai ka deklaruar se rëndësi i është kushtuar edhe inspektimeve në parandalimin e keqpërdorimit të ujit të pijes.

“Në këtë aspekt kemi arritur rezultatet të mira. Gjatë vitit 2019 janë shqiptuar 63 gjoba mandatore për mbrojtjen e ambientit dhe keqpërdorim të ujit të pijshëm, ndërkaq numri total i procesverbaleve i Drejtorisë së Inspekcionit është 1 mijë e 348” ka thënë ai.