Shkolla më e madhe në komunën e Gjakovës, “Zekeria Rexha”, i ka të mbyllura dyert për 1,900 nxënësit e saj.
Të martën u tentua që mësimi të fillonte, sipas kërkesës së kryetarit të komunës së Gjakovës Ardian Gjini, por mësimdhënësit nuk e kanë përfillur atë, raporton KTV.
Drejtori i kësaj shkolle, Pleurat Rudi, ka treguar se nga numri total vetëm 26 nxënës shkuan për të parë nëse ka mësim, por edhe ata janë kthyer pasi mësimdhënësit kanë kundërshtuar të ndalin grevën.
Anëtari i këshillit grevist të SBASHK-ut në Gjakovë, Shpend Canamusa, tha se kërkesat e kryetarit të komunës nuk do të merren parasysh pa u rritur koeficienti për 30%. Ai tha se edhe ata, sikurse kryetari, janë që t’i kthehen mësimit. Por para kësaj duan që t’i plotësohen kushtet e kërkuara.
Por, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, që vjen nga partia e njëjtë me kryeministrin, e ka quajtur grevën fatkeqësi për fëmijët.
Por, ai ka thënë se do ta vazhdojë insistimin për t’i bindur mësimdhënësit që të kthehen në vendin e tyre të punës.
Ndërkohë, Gjini në një postim të mëvonshëm në Facebook ka thënë se paga e mësuesve po rritet gati 15 për qind, ndërsa ka thënë se ritmi “premton rritje deri në 30 për qind”.
“Lutja ime për ju është kjo: Mos i leni fëmijët tanë jashtë bankave të tyre për shkak të disa njerëzve që kanë agjendë puro politike! Mos lejoni që të humbasë respekti i prindërve, i fëmijëve dhe i gjithë popullit për shkak të një grushti njerëzish që nuk mendojnë fare për ju! Mos lejoni që të arrijmë në pikën kur puna juaj fisnike të konsiderohet nga populli vetëm një vend pune pothuajse i pamerituar dhe vetëm për rrogë! Askush nuk e meriton këtë gjendje për shkak të një grushti që janë të gatshëm ta tregtojnë të ardhmen në këmbim të të sotmes! Më së paku e meritojnë fëmijët që po humbin ditë pune dhe po dëmtohen emocionalisht; E menjëherë pas tyre, nuk e meritoni ju mësues të dashur! Ju meritoni respekt dhe e gëzoni atë! Mos e lëshoni nga duart për hir të matrapazëve! Gjithmonë i juaji, unë që jam rritur nga një mësuese që ka punuar në kohët më të zorshme, edhe pa rrogë!”
Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se orët e humbura shkaku i grevës do të kompensohen, duke iu përgjigjur kështu pohimeve të zyrtarëve të SBASHK-ut se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Haradinaj ka shtuar se deri në fund të janarit, projektligji për pagat do të kalojë në Kuvend.