Komuna e Prishtinës ka njoftuar se të shtunën rruga “Agim Ramadani” do të jetë e mbyllur për qarkullim pasi do të asfaltohet. Sipas njoftimit, rruga mund të jetë e mbyllur edhe të dielën në rast se zgjasin punimet.
“Ju informojmë se ditën e shtunë, më 3 maj 2025, rruga “Agim Ramadani” do të jetë e mbyllur për qarkullim gjatë gjithë ditës, për shkak të realizimit të shtresës përfundimtare të asfaltit. Punimet do të vazhdojnë deri në përfundimin e plotë të asfaltimit, dhe nëse është e nevojshme, mbyllja do të vazhdojë edhe të dielën, më 4 maj 2025. I lusim të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të planifikojnë lëvizjet e tyre duke marrë parasysh këtë bllokim të përkohshëm. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për këtë ndërhyrje të nevojshme, e cila ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës rrugore në qytetin tonë", thuhet në njoftim.
Në fundjavë s’do të lejohet qarkullimi i autobusëve në rrugën “Agim Ramadani”
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se rruga “Agim Ramadani” do të jetë e mbyllur për qarkullim për autobusët gjatë fundjavës, ndërsa për kamionët me peshë mbi 12.5 tonë do të jetë e mbyllur deri më 7 maj, për shkak të punimeve infrastrukturore.
Sipas Drejtorisë së Shërbimeve Publike, ndalimi do të vlejë nga data 3 maj (e shtunë) deri më 4 maj 2025 (e diel).
Gjatë kësaj periudhe, të gjitha linjat e transportit publik – si ato publike ashtu edhe ato private – që zakonisht kalojnë në këtë segment, do të devijohen në rrugë alternative.
Linjat e autobusëve do të qarkullojnë përkohësisht në këto rrugë: “Rruga UÇK”, “Rruga Migjeni”, “Rruga Luan Haradinaj”, “Rruga Ukshin Hoti”, “Rruga Robert Doll”, “Rruga Eqrem Çabej”, “Rruga Dëshmorët e Kombit” dhe “Rruga Bajram Kelmendi”.
Edhe
Mbyllet sonte për qarkullim rruga “Robert Doll” në Prishtinë
Devijimi do të zbatohet në të dy drejtimet, në varësi të nevojave të qarkullimit.
Po ashtu, nga data 3 maj deri më 7 maj 2025, do të ndalohet qarkullimi i mjeteve motorike me peshë mbi 12.5 ton në këtë segment rrugor.
Komuna ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe bashkëpunimin e të gjitha palëve të përfshira për realizimin e suksesshëm të punimeve.