Fshati Tërstenë i komunës së Mitrovicës pothuajse është boshatisur nga banorët, për shkak se nuk mund të zhvillohet jetë normale në të.
Nga 70 shtëpi, sa ishin gjithsej, as 20 prej tyre nuk janë të banueshme.
Ndërsa, shkolla e fshatit numëron vetëm 5 nxënës. Luan Ibishi, nxënës i klasës së katërt, për çdo ditë përshkon mbi 2 km e gjysmë rrugë, për të shkuar deri në shkollë. Por, mësuesi i tij nuk e lë vetëm.
Ata udhëtojnë së bashku. Vështirësitë gjatë rrugës janë histori në vete. Moti i ftohtë e me shi dhe balta e madhe ua vështirëson ecjen normale. Udhëtimi gjysmëorësh, është shumë i lodhshëm për Luanin.
Në klasë ky mësues ka vetëm 2 nxënës, por meqë tjetri mungon, të gjitha orët i mbajti vetëm me Luanin.
Edhe
Fshati i Mitrovicës që rrezikon ta mbyllë shkollën nga ikjet e familjeve
Mësuesi, Hysen Beqiri thotë se mundohet të bëjë më të mirën për nxënësit e tij, por kushtet e pafavorshme, të shumtën e rasteve ia pamundësojnë këtë.
Por, Hysni Syla, zëdhënës i komunës së Mitrovicës, në një deklaratë me telefon, është shprehur se komuna vazhdimisht ka investuar në fshat vetëm që të mbajë banorët aty.