Në muajin e ndërgjegjësimit për Sindromën Down, drejtues të Shoqatës “Down Syndrom Kosova” në Ferizaj, i thanë RTK-së se po rritet vetëdijesimi për personat me këtë sindromë, të cilët duhet të trajtohen më mirë sepse mund të japin kontribut në shoqëri. Nga kjo organizatë porosisin që ndërmarrësit dhe institucionet publike t’u ofrojnë më shumë mundësi punësimi personave me këtë sindromë.
Çdo javë, nga e hëna në të premten, ditët e Eloida Aliut janë përplot aktivitete. Vajza nga Ferizaj, e prekur nga sindroma down, ditët i fillon në shoqatën “Down Syndrom Kosova”, dega në Ferizaj, ku zhvillon aktiviteteve të ndryshme me kolegë dhe shpesh edhe luanë në piano.
Pas aktiviteteve në shoqatë, Ela u nis drejt ordinancës “BriliantDent”, ku prej dy vitesh është e punësuar si asistente stomatologu. Ajo thotë se puna e bën shumë të lumtur.
"Unë punoj këtu, kënaqem shumë. Edhe doktori është shumë i lumtur e më pas edhe unë kënaqem shumë - shumë”, tha ajo.
I kënaqur me punën e Elës është edhe punëdhënësi i saj, stomatologu Burim Buzhala, i cili fton të tjerët që t’u japin më shumë mundësi personave me Doun Sindromë.
"Jam shumë krenar me Elën. Prej momentit që është punësuar, ajo ka bërë një progres të madh dhe kjo është një dëshmi e gjallë që na argumenton se edhe personat me aftësi të kufizuara dinë, munden dhe ia dalin. Mesazhi im për të gjithë që kanë mundësi është që, t’u japin më shumë mundësi këtyre personave.
Yllka Mani, drejtuese e “Down Sindrom Kosova” në Ferizaj, thotë se përveç Eloida Aliut, në këtë qytet janë edhe dy persona të angazhuar me punë në sektorin privat. Mani, uron që ky numër të rritet.
“Për çdo ditë e më shumë njerëzit po vetëdijesohen. Andaj, po uroj që shpejt të ketë edhe biznese të tjera të interesuara që marrin ndonjë të rritur me Down Sindromë dhe të punësojnë. Normalisht që me trajnime të ndryshme i përkatisim për tregun e punës”, tha ajo.
Mani shprehet e zhgënjyer paksa me përkrahjen institucionale për personat me Down Sindromë, e sidomos për punësimin e tyre në sektorin publik. Deri tash, në gjithë vendin, Aldi Hoxha është i vetmi i punësuar në sektorin publik dhe punon në Ndërmarrjen “Trafiku Urban”.