Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me urimin te Ditës Ndërkombëtare të Gruas, të gjitha grave të Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli me të nisur seancën tha se sot janë veshur ndryshe nga ditët e zakonshme, pasi secili nga deputetët ka veshur një bluzë me një lule dielli, e cila simbolizon fushatën e nisur nga Albana Osmani, e cila ka për qëllim ndihmën e fëmijëve të Kosovës që vuajnë nga sëmundjet leukemia dhe kanceri.
Në emër të propozuesit të këtij debati, deputetja e Vetëvendosjes Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, tha se shteti është përgjegjës për përfaqësuesit e tij, duke përfshirë edhe dhunën në familje.
Sipas saj, dhuna në familje përbën shkelje të të drejtave të njeriut, derisa kjo shkelje ka ndikuar në mbrojtjen e të drejtës së personit për jetën, të drejtën për mjete efektive të garantuar me konventën ndërkombëtare dhe Kushtetutën.
“Janë bërë dhjetë vite nga hyrja në fuqi e ligjit për dhunën në familje, nga viti 2008 e deri me sot me shumë se 15 gra janë vra, mbi 20 mijë gra kanë raportuar dhunën në familje, ndërsa mbi 68 për qind e grave kanë përjetuar dhunë në forma të ndryshme. Jemi të sigurt se drejtësia për secilën grua është e stërvonuar me vet faktin se sa lëndë janë trajtuar nga ana e drejtësisë. Edhe ato pak raste që janë trajtuar vendimet kanë qenë shumë të buta në krahasim me krimin e bërë në familje. Statistikat mbi dhunën në familje e dëshmojnë këtë gjendje. Nga janari deri në dhjetor 2017 janë evidentuar 1196 raste të dhunës në familje”, tha Kollçaku.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, theksoi se Qeveria që ai drejton do të jetë përkrah familjeve për të ndalë dhunën në familje.
“Detyra ime sot është të them se Qeveria e vendit, institucionet e vendit e ndjejnë përgjegjësinë, barrën që iu takon, detyrat që i kanë që dhuna në familjet tona të ndalet, mos të ndodh dhe e përshëndesim këtë seancë, debat parlamentar. Do t’i mbështesim ato konkluzione që do t’i aprovoni, nëse i aprovoni”, u shpreh Haradinaj.
Në vazhdim deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, me një varg kritikash ndaj institucioneve e burrave në Kosovë sa i përket trajtimit të grave, rikujtoi raste të mentalitetit konservativ e diskriminues ndaj tyre.
Në emër të LDK-së, deputetja Lirije Kajtazi, theksoi se gratë në Kosovë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara.
“Por këtyre ligjeve vazhdon t’i bëjë rezistencë barriera kulturore. Shumë fakte tregojnë se shoqëria jonë nuk ofron mundësi të barabartë për gratë dhe burrat. Gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara, vazhdojnë të mos jenë mjaftë të punësuara, përparimi në karrierë, e drejta në pronë, trashëgimi, e për fat të keq duke përfshirë edhe temën e sotme, dhunën në baza gjinore. E dhuna buron nga paedukata, nga i ligu që nuk mund të menaxhoj vetën dhe situatën, për fat të keq si instinkt natyror me daljen e njeriut nga shpella. Ka shumë rëndësi ruajtja e dinjitetit vetanak nga i cili del ai familjar për të reflektuar në dinjitetin nacional. Dhuna ndaj grave ndikon seriozisht edhe në zhvillimin ekonomik të një vendi”, tha Kajtazi.
Deputetja e PDK-së, Mexhide Mjeku-Topalli, tha se me gjithë punën ndërgjegjësuese që është bërë, sidomos në dhjetë vitet e fundit, qëndrimet ndaj dhunës nuk kanë ndryshuar shumë.
“Vetëm rreth 5 përqind e grave të dhunuara në gjirin e familjes denoncojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre. I vetmi burim i informacionit mbetet vet viktima e cila në çdo rast nuk është e çliruar nga paragjykimet dhe stereotipet që ekzistojnë në shoqëri apo në komunitetin ku ai apo ajo bëjnë pjesë. Dhuna në familje vetëm në raste të rralla përcaktohet dhe penalizohet si krim brenda familjes duke mos e paraqitur kështu në statistikat zyrtare. Dhuna ndaj gruas është një problema kompleks që përfshinë me shumë se një akt në vetvete në marrëdhëniet personale ndërmjet burrit dhe gruas”, theksoi Mjeku-Topalli.