Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, ka zgjedhur Ditën e Evropës të ndajë mirënjohje për të rinjtë që kanë konkurruar me ese rreth integrimeve evropiane.
Po ashtu, me mirënjohje janë shpërblyer edhe gazetarët për storiet e tyre po me të njëjtën temë, ndërsa mirënjohje kanë marrë edhe gratë pjesëmarrëse në panairin e prodhimeve vendore.
E para e Ministrisë së Integrimeve Evropiane këto kategori i ka quajtur pjesët me të veçanta të shoqërisë kosovare, pasi pa asnjërën prej tyre nuk mund të ecet drejt Bashkimit Evropian.
“Jo rastësisht këto mirënjohje i kemi ndarë të rinjve, gazetarëve dhe grave, sepse mendojmë që janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë sonë. Gjithashtu, pa asnjërin prej këtyre nuk mund të ecim përpara në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin në BE. Dua t’ju uroj Ditën e Evropës dhe shpresoj që vitin e ardhshëm do të jemi më afër Evropës, Kosova do të jetë edhe një vend më i mirë për qytetarët tanë. Do të arrijmë t’i dërgojmë reformat përpara dhe gjithashtu edhe çka është shumë më e rëndësishme për të gjithë neve është që deri në fund të vitit të lëvizim lirshëm, po pastaj 9 Majin e vitit të ardhshëm ta presim të gjithë me mundësinë e lëvizjes së lirë”, tha ministrja Hoxha.
Për promovimin e vlerave integruese, procesit integrues dhe rëndësinë e integrimit evropian, u shpërblyen edhe dy gazetarë.
Edhe
Rruga e Kosovës drejt Evropës dhe sfidat e integrimit
Gazetari i RTK-së, Besart Galica, i cili mori këtë çmim, tha se nuk e priste këtë çmim, meqë storia e tij me të cilën ka konkurruar ka qenë goxha kritike për institucionet e vendit, për mospunën e bërë për integrimet evropiane.
“Realisht, kjo mirënjohje ka qenë një befasi, pasi që në këtë konkurs që kemi konkurruar shkrimi me të cilin unë kam konkurruar ka qenë mjaft kritik ndaj institucioneve të Kosovës lidhur me mos punën e mjaftueshme karshi integrimeve evropiane. Andaj, është një lajm i mirë në fakt për gazetarë që edhe kritika vlerësohet dhe në një farë forme nëpërmjet kësaj mirënjohje është një shenjë e mirë që institucionet e Kosovës e vlerësojnë kritiken. Pra, po i japin kah edhe gazetarëve dhe po i stimulojnë që nëpërmjet kritikës të hapin dyert për punë më të madhe karshi procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Çmim mori edhe gazetarja e portalit Indeksonline, Rita Çitaku.
Ndërsa, nxënësja e shkollës së mesme profesionale, “Feriz Guri dhe Vëllezërit Caka” nga Kaçaniku, mori shpërblimin për esenë me të mirë në fushën e integrimeve evropiane.
“Jemi prej shkollës së mesme profesionale “Feriz Guri dhe Vëllezërit Çaka” Kaçanik, kemi bërë një ese me temën “Sundimi i ligjit për integrim në Bashkimin Evropian”, jemi cilësuar si eseja më e mirë dhe kemi marrë këto mirënjohje. Eseja ka përmbajtur gjithçka në lidhje me sundimin e ligjit në Kosovë që është për Bashkimin Evropian dhe për integrim”, tha ajo.
Edhe
Kosova pushon për Ditën e Evropës, siç bën vetëm Luksemburgu nga 27 shtetet e BE-së
Mirënjohje nga Ministria e Integrimeve morën edhe gratë pjesëmarrëse në panairin e prodhimeve vendore.
9 Maji - Dita e Evropës në Kosovë është shënuar me aktivitete të shumta.