Arbëri

Në Davidovc inaugurohet parku i papërfunduar krejtësisht

Ende e pa u gjelbëruar dhe me mungesë të këndit të lojërave që është i paraparë në projekt, për parkun u pre shiriti në një ceremoni të organizuar të dielën, ku mori pjesë kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Në hapësirën që është bashkëfinancim i Qeverisë, komunës së Shtimes dhe shtetit gjerman, Kurti ka thënë se parqet ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. E ambasadori, Rohde, ka thënë se përurimi i parqeve është i nevojshëm për ardhmërinë e fëmijëve

Një hapësirë prej rreth 1 hektari u përurua të dielën si park në fshatin Davidovc të Shtimes. Ende e pa u gjelbëruar dhe me mungesë të këndit të lojërave që është i paraparë në projekt, për parkun u pre shiriti në një ceremoni të organizuar të dielën, ku mori pjesë kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Në hapësirën që është bashkëfinancim i Qeverisë, komunës së Shtimes dhe shtetit gjerman, Kurti ka thënë se parqet ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

“Është pikërisht ky roli i komunës që të krijojë hapësira publike për qytetarët e saj sepse janë këto hapësira publike që e inkurajojnë që të kemi lidhje të fort të individi me vendin e tij, por edhe me qytetarët e tjerë të cilët i ndajnë këto hapësira”, ka thënë ai.

E ambasadori gjerman, Rohde, ka thënë se përurimi i parqeve është i nevojshëm për ardhmërinë e fëmijëve.

“Jam shumë i lumtur dhe me më dëshirë hapi kësi parqe sesa parqe të bizneseve, edhe ato normal me plotë dëshirë, por këtu bëhet fjala për ardhmërinë dhe ka një rëndësi të veçantë. Parku do të rritet me shpresë që partneriteti mes qarkut tonë dhe komunës së Shtimes do të forcohet”, ka thënë Rohde.

E Harmut Ganzke, shef i Grupit Parlamentar i SPD-së në Kuvendin e Qarkut Unna, vend i cili kontribuoi në investimin, uroi që marrëdhëniet mes dy vendeve të lulëzojnë njashtu si gjelbërimi në parqe.

“I kam treguar kryetarit të komunës që i gjithë parku rritet si relacionet mes Gjermanisë dhe Kosovës, dhe partneriteti mes dy vendeve është shumë i fort. Ju të pranishëm, dua t'iu tregojë se parku do të rritet, e me të edhe marrëdhëniet mes dy vendeve”, ka deklaruar Ganzke.

Prania e hierarkisë institucionale e diplomatike e gëzoi, kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliu, i cili u zotua se do të investojnë në gjelbërimin e hapësirave.

“Si qeverisje ne e kuptojmë sa shumë është e nevojshme të shtojmë edhe më shumë hapësirat e tilla rekreative. Prandaj jam kaq i gëzuar që në këtë prani kaq të lartë të hierarkisë institucionale e diplomatike, që bashkëqytetarëve tanë në fshatin Davidovc por jo vetëm t'ua urojë këtë park modern bashkë me këndin e lojërave për fëmijë”, ka deklaruar Aliu.

Banorët e quajtën investim të nevojshëm por jo të mjaftueshëm.

“Për vendin tonë janë hapat e parë, kështu që është një prej hapave të parë në të ardhmen gjeneratë që do të vijnë ata duhet të punojnë më shumë, vendin duhet ta dojnë dhe të punojnë për të, kështu që ndoshta nuk është i mjaftueshëm, por në vazhdim shpresoj që të rinjtë do të mendojnë për vendin tonë, e do të punojnë edhe më shumë”, ka thënë Hysen Hoxha, i cili jeton në Zvicër.

E vogëlushi Ajan Sopaj i është gëzuar këtij parku dhe shpreson që këndi i lojërave të vendoset sa më shpejt.

“Jam gëzuar që është bërë një vepër e mirë, park për herë të parë kemi, me u kënaq me luajt ndonjë sport”, ka thënë ai.

Ky investim sipas qeverisë kap vlerën e 140 mijë eurove. Parku është emërtuar “Nordrhein-Ëestfalen”, për të nderuar landin gjerman nga është bashkëfinancuar ndërtimi i saj.