Arbëri

“Në Burgun e Sigurisë së Lartë, asnjë i burgosur s’ka gjasa të dalë në restorante”

Gjatë debatit të sotëm në “Puls” të KTV-së në lidhje me politizimin e shërbimit korrektues dhe sigurinë në burgjet e Kosovës, Rasim Selmani, drejtor i Burgut të Sigurisë së Lartë në Gerdovc, tha se te ky burg respektohen të gjithë të burgosurit, pa marrë parasysh pozitës në shoqëri apo diku tjetër.

“Nuk ka asnjë standard të dyfishtë dhe nuk qëndron ajo se në institucionin e sigurisë së lartë ka standarde të dyfishta”, ka thënë Selmani në “Puls”.

Sipas tij, të gjithë të burgosurit janë të barabartë para ligjit dhe punojmë me ndershmëri.

“Nuk ka as korrupsion në burgun tonë. Ju siguroj që asnjë i burgosur me dënime të gjata nuk ka gjasa me dal me shëtit nëpër restorante nga burgu që unë e udhëheq, andaj edhe mundohen që shumë të burgosur gjatë dënimit të dërgohen në burgjet tjera sepse tek ne e dinë që këtu duhet qëndruar brenda dhe vetëm brenda. Disiplina e cila ekziston në burgun e sigurisë së lartë është e tipit evropian. Qe tri vjet është kështu dhe nuk ka asnjë incident”, shtoi ai.