Arbëri

Në BE insistojnë se krijimi i Asociacionit është çështja kryesore dhe prioriteti më i madh

Albin Kurti - Aleksandar Vucic - dialogu - Bruksel

Një ditë pas takimit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, diplomatë evropianë insistuan se me gjithë mospajtimin krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është çështja kryesore dhe prioriteti më i madh. Ata u kanë bërë thirrje palëve që të jenë më konstruktive në qasje dhe të punojnë në krijimin e një atmosfere në të cilën arritja e kompromisit do të jetë e mundshme

Një ditë pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, diplomatët evropianë besojnë se megjithatë ai ishte një takim i mirë, i cili ndonëse nuk pati pajtim rreth tekstit të draftit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe shënoi nisjen e një procesi, i cili në një të ardhme do të prodhojë edhe rezultat.

Diplomatët evropianë thonë se e kanë ditur që nuk është e lehtë që në fillim të pranohet ndonjë propozim, por kanë kërkuar që palët të jenë më konstruktive në qasjen e tyre dhe të punojnë në krijimin e atmosferës në të cilën arritja e kompromisit do të jetë e mundshme.

Edhe pse në marrëveshje të arritur në Bruksel në fund të shkurtit dhe në Aneksin e pajtuar në Ohër thuhet se të gjitha pikat duhet të zbatohen pa u varur nga njëra-tjetra, diplomatët në Bruksel vazhdojnë të insistojnë se çështje kryesore dhe prioriteti më i madh megjithatë është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Prandaj, edhe kjo ishte pika më e rëndësishme në takimin e mbrëmshëm në Bruksel.

Zyrtarët evropianë gjithsesi janë më së shumti të interesuar që të evitohet krijimi i një atmosfere të tensionuar në veri të Kosovës pas zhvillimit të zgjedhjeve atje.

Prandaj, siç janë shprehur disa diplomatë, do të vazhdojnë të kërkojnë modalitete për të tejkaluar krizën e krijuar me largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri.

Zyrtarët evropianë kanë pohuar se duhet pasur përmbajtje nga të gjitha palët në mënyrë që të mos ketë krijim të tensioneve dhe krijim të rrethanave në të cilat mund të ketë shpërthim të situatës.

Zyrtarët evropianë shpresojnë se pas takimit të djeshëm në nivel të lartë do të vazhdojnë takimet e ngjeshura në kuadër të dialogut si nga grupet punuese ashtu edhe nga ekipi për monitorimin e implementimit të marrëveshjes.