Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Ballkan po bëhet garë e madhe për energji, Kosova është vonuar tej mase

Qeveria e Kosovës i ka vënë vetës synim që para krishtlindjeve ta përfundojë nënshkrimin e kontratës me “Contour Global”, e cila nga viti i ardhshëm duhet të nisë investimet në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një bisedë për KTV-në, ka dhënë detaje për normën e kthimit të investimeve, e cila sipas tij, është ulur, ndërsa pas dy dekadash, termocentrali i kthehet nën menaxhim shtetit të Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai ka bërë të ditur se gjeneratori do të jetë me teknologjinë e fundit dhe, sipas standardeve që aplikohen në Bashkimin Evropian, në mënyrë që në momentin që Kosova të nisë bisedimet për anëtarësim, të mos hasë në probleme në këtë fushë.

Lluka ka shtuar se duke u bazuar në këtë fakt, pajisjet që do të vendosen aty do të jenë të blera nga kompanitë që i kanë fabrikat e tyre prodhuese në Evropë dhe që punojnë sipas rregullave të BE-së.

Kapacitetin që do ta ketë ky termocentral do të jetë po aq sa aktualisht prodhon termocentrali Kosova A, që duhet të mbyllet kur të nisë punën i riu.

Në këtë çështje, ministri Lluka pranon se Kosova nuk do të mund të bëhet një eksportues i madh i energjisë, pavarësisht se nevoja për këtë produkt parashihet të rritet në masë të madhe.

Garantuese për këtë projekt do të jetë edhe Banka Botërore, e cila ende nuk e ka dhënë fjalën përfundimtare, por që ministri ka besim që të njëjtin do ta mbështesin pasi po ndërtohet me kapacitete sipas kërkesës së tyre.

“Contour Global” është një kompani amerikane për ndërtim të kapaciteteve të prodhimit të energjisë me bazë nga energjia e ripërtërishme dhe nga ajo termale.

Në të parën prodhon 1499 megavat, kurse në atë termale 2640.

Kompania në fjalë ka shtrirje në 3 kontinente, përfshirë edhe Evropën.

Në Ballkanin Perëndimor po bëhet një garë e madhe e ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike.

Ndërsa, Kosova në këtë aspekt është vonuar tej mase.

Ideja për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike nga thëngjilli ka nisur nga viti 2006, ku ishte planifikuar të ndërtohet termocentrali mes 1.800 dhe 2.100 megavatesh.

Mirëpo, vonesat e shumta dhe dështimet e njëpasnjëshme të këtij projekti e tkurrën kapacitetin e tij prodhues në rreth 500 megavat.