Policia e Kosovës, sot në ora 11:00 në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, me ceremoni solemne ka shënuar përvjetorin e 19-të të themelimit të saj.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në këtë ceremoni solemne morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës si: president Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë, ambasadorë, përfaqësues të misioneve diplomatike, zyrtarë të policisë si dhe familjarë të ftuar të zyrtarëve policorë, transmeton Koha.net.
Këtë përvjetor me prezencën e tyre e kanë nderuar edhe drejtorët/zëvendësdrejtorët e policive të vendeve të ndryshme të botës si nga: Shqipëria, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi, Guinea Bisao, Kosta Rika, Bregu i Fildishtë, Panamaja dhe Senegali, të cilët ishin mysafirë nderi të Policisë së Kosovës.
Gjatë shënimit të kësaj ngjarje të rëndësishme lidhur me të arriturat dhe rezultatet e Policisë së Kosovës dhe sfidat e përgjithshme që ka pasur ky institucion gjatë viteve të zhvillimit dhe profesionalizimit, fjalimin hyrës e mbajti drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, ndërsa nga një fjalë rasti mbajtën presidenti, kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme.
“Jemi krenarë me parimet me të cilat udhëhiqet PK-ja: trajtimi i barabartë dhe i drejtë për të gjithë, respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, paanshmëria dhe neutraliteti lidhur me bindjet politike, integriteti, ndershmëria dhe përgjegjësia në shërbimin publik, transparenca, legjitimiteti, përshtatshmëria dhe proporcionaliteti. Policia ka trajtuar me prioritet parandalimin e aksidenteve në trafik dhe shtimin e sigurisë në rrugë. Ngritjen e sigurisë afër shkollave, parandalimin dhe luftimin e narkotikëve. Janë ndërmarrë aktivitete në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar, krimeve ekonomike dhe korrupsionit. Luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe forcimin e kontrollit të kufijve”, ka thënë Qalaj.
Ai ka shtuar se, “jemi duke punuar ngushtë me autoritetet vendore dhe partnerët ndërkombëtar drejt anëtarësi në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë si INTERPOL dhe EUROPOL. Ne po zhvillohemi komform nevojave dhe sfidave të brendshme dhe globale. Ne, në asnjë moment nuk do t’i harrojmë 19 zyrtarët policorë të cilët dhanë jetën e tyre në krye të detyrës. Ne kemi mision të shenjtë, të ofrojmë siguri për qytetarët pa dallim. Ne e duam punën tonë, e duam vendim tonë dhe këtë mision të jashtëzakonshëm”.
Kurse Thaçi gjatë fjalimit të tij ndër të tjera tha se, “Policia e Kosovës që nga ditët e para e posaçërisht pas Pavarësisë së Kosovës është bërë shtylla e parë e shtet ndërtimit, institucioni më i besueshëm dhe i respektuar në Republikën e Kosovës. Raportet ndërkombëtare e vendosin Policinë e Kosovës lartë nga krahasim me policinë e rajonit. Ju i keni dhënë Kosovës edhe hero, si Enver Zymberaj dhe të tjerë”.
Edhe
Policia e Kosovës feston 26-vjetorin e themelimit
Ndërsa Haradinaj potencoi se, “themelet e jetës sonë të re në Kosovë kemi filluar t’i vendosim të gjithë së bashku. Një themel i rëndësishëm i jetës sonë të re është Policia e Kosovës, e cila është e të gjithëve dhe është krijuar me ndihmën e të gjithëve”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Gashi gjatë fjalimit të tij përgëzoi Policinë e Kosovës për punën, angazhimin dhe përkushtimin në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja karshi vendit dhe qytetarëve, si dhe njëkohësisht shfrytëzoi rastin për t’i uruar Qalajt emërimin në pozitën e drejtorit të Përgjithshëm të PK-së.
Pjesë e rëndësishme e kësaj ceremonie ishte gradimi i gjashtëdhjetë e gjashtë (66) zyrtarëve policor prej tyre 5 Nënkolonel, 4 Major, 57 Kapiten, si dhe ndarja e 28 Medaljeve prej tyre 1 për shpëtim jete, 9 për shërbim të dalluar, 18 Medalje policore për Lëvdim, e po ashtu janë ndarë edhe 26 Lëvdata dhe 22 Mirënjohje.