Përveç krijimit të ushtrisë, kundërshtim të fortë të ndërkombëtarëve në Kosovë ka edhe për një çështje tjetër, raporton KTV.
Bëhet fjalë për një amendament të propozuar nga deputeti i PDK-së, Nait Hasani, që 24 orë të kaluara në qeli, të burgosurit do t’i llogariteshin si 36.
Komisioni funksional, sipas Armend Zemajt, nuk e kishte mbështetur këtë amendament për dy arsye, se Ligji ishte në plotësim-ndryshim dhe se amendamenti do të kërkonte rishikim edhe të ligjeve të tjera.
AAK-ja sipas Pal Lekajt, nuk ka kundërshtime të mëdha për këtë amendament, megjithëse ende nuk kanë marrë një vendim.
E LVV-ja, sipas deputetes Albulena Haxhiu, ia ka bërë të ditur propozuesit Nait Hasani se nuk do ta mbështesin, pasi e konsiderojnë si lëvizje të rrezikshme.
Edhe
Rreth 1600 të burgosur po kundërshtojnë ndryshimet në ligj me të cilat humbin disa benefite
Deputeti Hasani, në seancën e 2 marsit, kur në mungesë kuorumi ishte shtyrë votimi, propozimin e tij e kishte arsyetuar, duke përmendur edhe praktika të shteteve të tjera, derisa kishte shtuar se qëllimi i dënimit është edukimi dhe risocializimi.
Megjithatë, kundër që ky paragraf t’i shtohej Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale janë zyra e BE-së në Kosovë dhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë.