Që prej disa javësh, është ndërprerë shpërndarja e kifleve falas për nxënësit e ciklit të ulët në shkollat publike të Komunës së Prizrenit. Pas kërkesës së opozitës, Ekzekutivi ka sqaruar se për këto shujta nuk ka pasur kod buxhetor dhe se janë ngritur edhe dilema të tjera
Ofrimi i shujtave falas për nxënësit e ciklit të ultë në shkollat e Prizrenit është ndërprerë, qysh gjatë muajit dhjetor të vitit të shkuar.
Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se për vazhdimin e projekti nuk ka pasur kod buxhetor dhe se tani Drejtoria e Arsimit është duke i shqyrtuar opsionet nëse shujtat duhet të ofrohen në të ardhmen.
Opozita, gjatë mbledhjes së fundit të Kuvendit i ka kërkuar sqarime Ekzekutivit lokal lidhur me çështjen. Ligjvënësit opozitarë madje kanë theksuar se ndërprerja e shujtave ka ndodhur me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike të Kosovës.
“Çka ka ndodhur me shujtat, i nderuar kryetar? Pra, në ditën dhe në momentin që është fituar pushteti komunal nga ana juaj, janë ndërprerë edhe shujtat nëpër të gjitha shkollat, të dhëna nga klasa e parë deri në klasën e pestë”, ka thënë Karanfil Haxhillari, anëtar i Kuvendit nga VV-ja.
Zyrtarët lartë komunalë kanë pohuar se përveç mungesës së kodit buxhetor, ka edhe dilema të tjera që janë ngritur rreth projektit.
“Arsyeja pse për momentin është ndërprerë është fakti se nuk ka pasur burime të mjeteve. Nuk ka pas kod buxhetor prej nga t’i paguajmë ato. E kemi lënë këtë çështje me shqyrtua drejtoresha e DKA-së, me bisedua edhe me drejtorë të shkollave, edhe me arsimtarë, por edhe me prindër se a ia vlen apo nuk ia vlen”, ka thënë Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit.
“Ka qenë një kontratë që është bërë në kuadër të Agjencisë Qendrore për Furnizim. E kemi diskutuar brenda, por jemi në diskutim e sipër edhe me drejtorët e shkollave, me Këshillin e Prindërve dhe mësimdhënësit, sepse ka shumë dilema. Janë ngritur shumë dilema në ditët prej kur unë e kam marrë detyrën për çështjen e furnizimit të këtyre kifleve. Ne do të bëjmë përpjekje për ta gjetur mundësinë më të mirë të mundshme”. Ka thënë Luljeta Veselaj-Gutaj, drejtoreshë e Arsimit në Prizren.
Ofrimi i shujtave falas për 13 mijë nxënës të ciklit të ulët ka qenë zotim i ish-pushtetarëve të Vetëvendosjes në Prizren. E shpërndarja e kifleve kishte nisur tek në muajin mars të vitit të shkuar.