Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ndonëse nuk e kanë bërë publike, tashmë kanë arritur marrëveshje për ndarjen e pushtetit ekzekutiv me partnerët e koalicionit në nivelin lokal, PDK-në dhe PSHDK-në.
KOHA merr vesh nga burime të sigurta se AAK si parti fituese e zgjedhjeve do t'i udhëheqë 6 drejtori, ndërkaq PDK dhe PSHDK nga 3 drejtori. PDK e ka marrë edhe postin e kryesuesit të Kuvendit Komunal, në të cilin post është zgjedhur tashmë ish-kandidatja për kryetare të Gjakovës, Arbënesha Kuqi.
Ndarjen e 3 drejtorive për PDK-në e ka konfirmuar për KOHËN kryetari i degës së PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqaj.
Ai ka bërë me dije se sipas marrëveshjes së arritur PDK do t'i udhëheqë drejtorinë për Bujqësi, atë për Inspektoriat dhe drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Beqaj ka njoftuar se PDK ende nuk ka vendosur për emrat e drejtorëve të 3 drejtorive që i takojnë dhe ka thënë se kjo do të bëhet deri në fund të kësaj jave në konsultim me strukturat e partisë.
"Në fillim të javës tjetër PDK do t'i ketë emrat e drejtorëve dhe do të jetë e gatshme t'i marrë përgjegjësitë që i takojnë", ka theksuar Beqaj.
Ndërkohë burime të tjera të ndërlidhura me zhvillimet rreth ndarjes së përgjegjësive dhe pushtetit në Gjakovë kanë treguar për KOHËN se PSHDK-së është vendosur t'i jepen në udhëheqje drejtoria e Zhvillimit Ekonomik, ajo e Administratës dhe drejtoria e Kadastrit.
Në PSHDK nuk kanë dashur të komentojnë këtë informacion.
KOHA ka provuar të marr një prononcim rreth ndarjes së pushtetit në Gjakovë, edhe nga kryetari i partisë fituese të zgjedhjeve dhe kryetarit të komunës së Gjakovës, Ardian Gjini por ai ka qenë i paçasshëm të martën.
Arritja e marrëveshjes dhe koalicioni ua mundëson Gjinit dhe AAK-së dhe partnerëve të koalicionit të jenë komod në ushtrimin e pushtetit dhe në realizimin e programit dhe objektivave në punë, pasi së bashku tri partitë i kanë 20 (11 AAK, 5, PDK dhe 4, PSHDK) nga 35 vota dhe ulëse sa ka Kuvendi Komunal i Gjakovës.
Në zgjedhjet e fundit lokale AAK ka dalë partia e parë në zgjedhjet komunale në Gjakovë me 30.09 për qind të votave dhe me 11 anëtarë në Kuvendin Komunal. E dyta është renditur Lëvizja Vetëvendosje me 28.14 për qind të votave që i mundësojnë të ketë 10 anëtarë në Kuvend, e treta ka dalë PDK me 12.76 për qind të votave apo me 5 anëtarë të Kuvendit, e katërta LDK me 12.08 për qind, apo 4 anëtarë të Kuvendit, e pesta PSHDK me 11.35 për qind, me 4 anëtarë të Kuvendit dhe e fundit që ka marrë mandatin e një anëtari të Kuvendit ka qenë Nisma Socialdemokrate me 3.73 për qind të votave.