Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka paralajmëruar Kosovën për pasoja nëse vazhdon me planet për formimin e Ushtrisë, raporton KTV .
Ai ka thënë se votimi po ndodh pa koordinim me NATO-n. Ndërkohë, kryeministrja serbe, Ana Branabiq, ka thënë se shpreson se Serbisë nuk do t’i duhet ta përdorë ushtrinë e saj, pas formimit të Ushtrisë së Kosovës. Brnabiqit i është përgjigjur kryeministri Haradinaj.
Nga NATO-ja ka ardhur, këtë të mërkurë, paralajmërimi më serioz kundër formimit të pritshëm të ushtrisë së Kosovës.
Shefi i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoletenerg, ka thënë se Kosova do të ketë pasoja nëse vazhdon me planet e saj.
“Kemi biseduar për planet e Kosovës për ta transformuar Forcën e Sigurisë në Ushtri. Një hap i tillë ndodh në kohën e gabuar dhe është kundër këshillave që Kosovës ia kanë dhënë shumë aleatë të NATO-s dhe mund të ketë pasoja serioze për integrimin euro-atlantik të Kosovës. “
Nga takimi i ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së, Stoltenebrg, gjithashtu, ka thënë se tarifa 100% e Kosovës ndaj Serbisë krijon ndarje të re dhe e minon dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Ndërkohë, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq ka thënë se ata që i dhanë mandat UNMIK-ut, EULEX-it e KFOR-it, duhet ta ndalin formimin e Ushtrisë së Kosovës.
Ajo tha se Serbia do të kërkojë nga të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndaljen e saj.
“Ne do të kërkojmë nga të gjitha shtetet anëtare të KS të OKB-së ndaljen e saj, sepse sipas asaj marrëveshjeje ndërkombëtare nuk ekziston mundësia që Kosova, me institucionet e veta të përkohshme, të krijojë ushtri. Në këtë rast, ata që i dhanë mandat UNMIK-ut, EULEX-it e KFOR-it, duhet të përzihen në këtë e t’i ndalojnë. T’i bëjnë ta zbatojnë kushtetutën e tyre. Ose mandatin tonë. Andaj, do të kërkojmë ndihmë nga ata, që t’i bëjnë thirrje Prishtinës t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare”.
Brnabiq, madje, tha se shpreson që një gjë e tillë nuk do të çojë në përdorimin e ushtrisë serbe.
“Shpresoj se nuk do të kemi nevojë kurrë ta përdorim ushtrinë, por, në këtë moment, një gjë e tillë është një nga opsionet në tryezë, sepse nuk mund të shohim pastrim të ri etnik dhe stuhi të reja, edhe pse kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bën thirrje për të tilla”.
Homologes serbe i është kundërpërgjigjur kryeministri Haradinaj.
Kryeministrja serbe ka folur edhe për taksën 100% ndaj mallrave serbe, vendim të cilin e quajti irracional. Tha se Serbia po i humb 42 milion euro në muaj nga taksa e Kosovës.
Nuk e pranoi se Serbia po e shkel marrëveshjen e CEFTA-s.