Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nataliteti në Dibër katërfish më i ulët se para 30 vjetësh

Dibër, 16 maj – Dibra gjatë historisë së saj ka pasur shumë ndryshime demografike. Në shumë etapa për shkaqe politike dhe ekonomike ajo ka shënuar edhe ulje drastike të popullatës.

Sipas të dhënave zyrtare një ulje drastike të popullatës ka pasur gjatë viteve 1912-1913 kur pushteti serb ka ushtruar një gjenocid kundër dibranëve pas shpalljes të Pavarësisë të shtetit shqiptar, shkruan gazeta KOHA.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Atë kohë pjesa dërmuese e popullatës ka migruar në Tiranë dhe disa qytete të tjera shqiptare. Para dhe pas Luftës së Dytë Botërore ka vazhduar migrimi për në Turqi, kurse viteve të 60-ta edhe për në SHBA. Për fat të keq, migrimi vazhdon të ketë kontinuitet.

Pikërisht për këta shkaqe Dibra e Madhe përballet me ndryshime demografike dhe sot ka ngelur një qytet, i cili ka më pak banorë, në krahasim me numrin e banorëve të tij që i ka nëpër botë. Sipas disa statistikave që prezantojnë institucionet kompetente, sot qyteti nuk i ka më shumë se 14 mijë banorë, edhe pse para Luftës së Parë Ballkanike, ai, sipas historianëve, ka numëruar mbi 35 mijë. Ndryshimet demografike dhe ulja e popullatës ka qenë në vazhdimësi në dëm të qytetit të Dibrës, sidomos për shkaqe politike. Në të gjithë fazat e ndryshme politike qyteti gjithmonë ka pasur braktisje nga popullata e saj. Sot, sipas të dhënave të shoqatave të ndryshme dibrane që veprojnë në Tiranë, Evropë, por edhe SHBA, numri i dibranëve në shtetet në fjalë është mbi 40 mijë. Fakti që Dibra është një qytet kufitar, po ashtu, flet qartë se zhvillimi i tij ekonomik ka qenë i ngadalësuar, sidomos gjatë sistemit monist kur edhe qyteti, edhe banorët e tij gjithmonë kanë qenë nën vëzhgimin e sistemit dhe në faza të ndryshme, banorët janë persekutuar në emër të mbrojtjes të kufirit të hekurt mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë.

Ulja e numrit të popullatës është edhe pasojë e uljes së natalitetit. Para afër tre dekadave, nataliteti në Komunën e Dibrës ka qenë disa herë më i madh në krahasim me ditët e sotme. Gjatë viteve 80-90, numri i lindjeve ka qenë mbi 800 në vit, kurse sot numri i lindjeve gjatë një viti nuk është më shumë se 220. Këto të dhëna të institucioneve shëndetësore që veprojnë në Dibër, flasin qartë për uljen drastike të natalitetit. Në këtë drejtim duhet theksuar se në ulje të natalitetit ndikon migrimi i popullatës së re si dhe planifikimi i familjes, me që aktualisht numri i fëmijëve te çiftet e reja është 1-3, në krahasim me vitet e kaluara kurë numri i fëmijëve ka qenë mesatarisht 3-7. Dibra vite me radhë ballafaqohet me një ulje drastike të popullatës. Duhet marrë parasysh edhe situatën politike, ekonomike, por edhe situatën e sigurisë. Sipas shoqatave qytetare të Dibrës, nuk mund të pritet një ndryshim radikal i kësaj gjendje. Kjo situatë e uljes së banorëve drejtpërdrejt ka ndikuar negativisht në mos zhvillimin e Dibrës, edhe pse qyteti si i tillë ka një domethënie të madhe kombëtare.