Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka thënë se nuk kanë raport zyrtar për shkollat në veri, por se kanë informata që në disa prej tyre nuk është zhvilluar mësimi.
Sipas saj përkundër angazhimit që t’i përfshijnë institucionet arsimore të veriut në sistemin e arsimit në Kosovë, një gjë e tillë nuk është arritur.
“Jemi të informuar për situatën në veri edhe në diskutimet që i kemi bërë në Qeveri. Nuk kemi raport zyrtar për shkollat atje, por kemi informata që në disa shkolla nuk është zhvilluar mësimi, por për shkak të punës së trashëguar përkundër angazhimit tonë që t’i përfshijmë këto institucione ato kanë vazhduar të bëjnë rezistencën, sepse gjithë këto vite nuk kanë qenë të përfshirë në arsim por vetëm janë përfshirë kur kane përfituar diçka”, ka theksuar Nagavci në një konferencë për media të mbajtur të martën, duke shtuar se në sistem nuk kanë arritur ta përfshijnë as Universitetin në Mitrovicën e Veriut.
Por sipas saj, kompensimi i orëve të humbura është obligim i institucioneve arsimore.
“Kompensimi i orëve të humbura është obligim i shkollave të sigurohet që të mos humbet asnjë orë, është e ditur që mësimi nuk është zhvilluar, e kemi diskutuar disa herë e kemi përmendur që kjo ka ndodhur edhe si pasojë interferimeve politike nga prindërit. Shkollat duhet të jenë të angazhuar që nxënësit të mos humbasin asnjë kapitull, atyre ju takon si përgjegjësi”, ka theksuar Nagavci.