Arbëri

Nagavci: S’ka më vonesa në shpërndarjen e teksteve shkollore

Tekstet shkollore për këtë vit do të dërgohen më herët se herëve tjera nëpër shkolla, ka njoftuar të mërkurën ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Sipas saj, nuk do të ketë më vonesa në shpërndarjen dhe pranimin e teksteve shkollore, pasi siç tha, këtë vit palët e përfshira në procesin e shpërndarjes dhe pranimin e teksteve shkollore janë mirinformuar për afatet kohore dhe përgjegjësitë.

“Neglizhenca e askujt nuk guxon të dëmtojë nxënësit tanë. Komisioni për evidentimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore i themeluar nga MASHTI, do të mbikëqyrë zbatimin e përgjegjësive nga DKA-të dhe shkollat në proces të përzgjedhjes së teksteve shkollore nga aktivet profesionale, raportimin e numrit të saktë të kërkesave për tekste shkollore, pranimin e porosive dhe shpërndarjen e teksteve shkollore”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Ajo tha se këto tekste do të dërgohen në fund të muajit korrik dhe jo në shtator siç është praktikuar më parë.

“Është hera e parë që një proces kaq i rëndësishëm po strukturohet opercionalisht si duhet. Tekstet shkollore nuk do të dërgohen më në shkollat tona në fillim të shtatorit gjatë procesit mësimor, por, shumë më herët në kohë, në fund të muajit korrik”, ka shtuar ajo.