(Ekonomia Online) - Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbёrie Nagavci ka raportuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, raporton Ekonomia Online.
Tema për të cila u diskutua në këtë mbledhje kishin të bënin me të drejtat e vajzave që të shkojnë në shkollë me mbulesë si dhe çështja e personave të verbër dhe përfshirja e tyre në shkolla.
Ministrja Nagavci tha se secili person gëzon të drejtën për shkollim me rregull dhe pa asnjë kufizim.
"Ky udhëzim e përcakton mbarëvajtjen e punës në institucionet shkollore. Aty ndalohet përdorimi i telefonit, veshjes ekstravagante dhe veshjes fetare. Kjo mund të duket si shkelje e të drejtave të njeriut, por ne synojmë që e gjithë vëmendja të jetë tek procesi mësimor. Në këtë linjë rekomandohet edhe mbajtja e uniformës, dhe fëmijë konsiderohet çdo person deri në moshën 18 vjet, dhe atëherë mund të marrin vendimin vet. Nuk kemi ndonjë të dhënë zyrtare që ndonjë fëmije i është ndaluar vijimi i mësimit për shkak të shamisë[...]Ndoshta është mirë që të punojmë bashkë ndoshta edhe pa praninë e mediave, që të mos japim deklarata të cilat shkojnë në kurriz të fëmijëve", tha ajo.
Nagavci ka thënë se është ballafaquar me sfida të shumta për shkak të vështirësive që ka shkaktuar në mësimnxënie pandemia.
“Nuk kemi ndonjë rast nga shkollat lidhur me atë që na keni thirr për të biseduar”, është shprehur ajo.
Kryetarja e Komisionit, Dude Balje ka thënë se problemi është shumë i qartë ngase mungon ligji për ndalesën ose lejimin e një vajzë me mbulesë në shkollë, duke shtuar se akoma vendoset siç duan në shkolla.
Balje ka kërkuar që këtyre vajzave t’u mundësohet të ndjekin mësimin dhe kjo sipas saj, duhet të specifikohet me udhëzim administrativ.
“Duhet të bisedojmë se a është shamia pjesë e uniformës shkollore. Ne duam që ta specifikojmë më ligj që asnjë vajzë mos me pas problem”, ka thënë ajo.
Ariana Musliu-Shoshi deputete e PDK-së ka thënë se personalisht ka pranuar ankesa nga disa vajza që nuk janë lejuar të ndjekin mësim.
“Sa raste i keni dhe në cilat nivele ka pyetur ajo, a do ta lejoni lëndën fetare në shkollat publike”, ka pyetur ajo.
Nagavci ka thënë se problemi që po e diskutojnë është mirë e definuar me Kushtetutë dhe nenet e saj, raporton EO.
“Për ne është e rëndësishme që secili fëmijë të vijojë mësimin me rregull. Për ne është e rëndësishme të krijojmë mjedise të sigurta ku të gjithë fëmijët të ndihen të barabartë. Në këtë mënyrë rekomandohet edhe bartja e uniformës”, ka thënë ajo. “Nuk kemi të dhënë zyrtare që ndonjë fëmija i është mohuar e drejta për mësim. Baza kushtetuese për temën të cilën po e diskutojmë sot është mjaft e qartë dhe mirë e definuar dhe si deputet besoj se jeni në njohuri. Në linjë me këtë, në pyetjen konkrete që u përmend nga zonja Musliu, lidhur me udhëzimin administrativ 06/2014, sa për informatën tuaj, përcakton mbarëvajtjen e punës në institucione arsimore, dhe janë veprimet e ndaluara dhe të lejuara, ku ndër të tjera përmendet edhe ndalimi i përdorimit të telefonit celular, veshjes ekstravagante dhe veshjes fetare. Secila prej këtyre ndalesave në shikim të parë duket se i prek liritë dhe të drejtat, por duhet të keni parasysh që kjo ka të bëjë me krijimin e ambientit të punës në shkollë ku vëmendja është tek mësimi. Obligimi jonë është që të sigurohemi që të gjithë fëmijët të jenë në shkolla dhe në radhë të parë, sidomos vajzat”, tha ministrja Nagavci.
Ajo rekomandoi deputetët që lidhur me këto problematika të parashtruara sot për shaminë në shkolla, të kontaktojnë me nivelet komunale dhe të bashkëpunojnë me departamentet përkatëse.
Sa i përket lejimit ose jo të lëndës së edukatës fetare në shkolla, Nagavci tha se ligji dhe mënyra sesi është përcaktuar janë duke kryer të gjitha obligimet konform gjithë legjislacionit në fuqi.
E pyetur nga deputetët lidhur me përkrahjen ose jo të shamive në shkolla, ministrja e Arsimit tha se nuk është një çështje ku mund të jap përgjigje, teksa shtoi duhet të diskutohen të gjitha keqinterpretimet ligjore.
“Lidhur me atë se çfarë ne do të bëjmë konkretisht, sigurisht se kjo çështje duhet të diskutohet me shumë kujdes dhe nuk është një çështje ku mund t’iu jap përgjigjen juve se çfarë do të bëni, si do të bëni sepse nuk i kontribuojmë një mbarëvajtjeje të procesit në përgjithësi. Çdo keqinterpretim i ligjeve tona duhet të diskutohet bashkërisht qoftë nga ana jonë dhe juve si deputetë. Po nga ana tjetër më duhet të iu them që nuk guxoj të lejoj që për çështje politike të bëhet një ndikim apo ndikim i vlerave në kurriz të fëmijëve”, tha Nagavci.
Kurse deputeti nga radhët e VV-së, Eman Rrahmani tha se e gjithë kjo problematikë vjen nga udhëzimi administrativ i vitit 2010, në kohën e ministrit Ramë Buja.
"Kërkesa jonë është që ky udhëzim administrativ të ndryshohet. Kjo nuk është që ka të bëjë me çështje fetare, por me çështjen e të drejtave të njeriut. Nëse e gjeni një shembull se ku është e ndaluar bartja e shamisë në shkolla në vendet e Evropës është mirë të na e sillni. Ky ndryshim do të duhej të bëhej qysh në fillim. U tha që 80 përqind e tregut të punës kanë mungesë të femrave, por pikërisht moslejimi i vajzave me shamia për të ndjekur shkollimin kontribuon në këtë", tha ai.