Arbëri

Nagavci: Partitë opozitare të reflektojnë lidhur me zgjedhjen e presidentit

Anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se kërkesat që do t’i adresojë kjo parti në takim me liderët e partive të tjera më 15 mars do të lidhen me krijimin e institucioneve të reja.

Nagavci është shprehur se nevojitet funksionalizimi sa më i shpejt i institucioneve.

“Takimet janë ftuar nga Kurti e Osmani. Është propozuar formati 1 plus 1, pra presim që temat do jenë çështjet për krijimin e institucioneve, funksionalizimin e tyre sa më të shpejt sepse jemi në përballje me pandemi. Ka kaluar kohë që institucionet janë ushtrues në detyrë, është e domosdoshme të kemi legjitimim të institucioneve”, tha ajo në Interaktiv.

Nagavci thotë se sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit, e në rastin e partisë të Vjosa Osmanit, partitë opozitare të reflektojnë. Thotë se vendi nuk mund të shkojë edhe një herë në zgjedhje me gjendjen e krijuar pas pandemisë.

“Duke qenë se VV ka fituar mbi 50 për qind të zgjedhjeve, është fitues bindës dhe nuk do ketë vështirësi për qeverinë. Çështja që kërkon numër më të madh është presidenti. Kështu që presim që sapo kemi përfunduar procesin zgjedhor dhe që është e rëndësishme të formalizohen të gjitha institucionet dhe duke ditë që nëse nuk arrihet të zgjidhet presidenti, duhet të shkohet në zgjedhje, presim që partitë opozitare të reflektojnë”, tha ajo.

Nagavci më tej ka thënë se edhe Ramush Haradinaj, që ishte kandidat i AAK-së për president, dhe që po insiston për të marrë këtë post, duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, ku mori vetëm 7 për qind.

“Për deklaratat e Haradinajt, ai ka marrë përgjigjen e qytetarëve. Me atë numër të votave është e qartë se s’është preferencë e qytetarëve. Nuk ka të drejtë që i takon një gjë e tillë. Pres që ta pranojnë këtë rezultat”, ka thënë ajo.

Për LDK-në ka deklaruar se s’ka arsye për të mos e mbështetur Osmanin, teksa ka thënë se ka qenë veprim i nxituar përjashtimi i saj nga kjo parti.

“Nëse dështon zgjedhja e presidentes vendi automatikisht shkon në zgjedhje, asnjërës parti s’i konvenon shkuarja në zgjedhje. S’do të ishte mirë as për ne. Do të kalonte mandati prej gjashtë muajsh që ajo ka të drejtë të ushtrojë rolin e presidentes. Do të vinim te disa situata që s’kemi pasur fare”, ka thënë më tej Nagavci.