Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka mohuar akuzat se në Këshillin Shtetëror të Cilësisë janë emëruar persona që kanë lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje. Në një reagim në Facebook, Nagavci ka thënë se “nuk do të tolerojë asnjë ndikim politik”.
Të premten, Partia Demokratike e Kosovës akuzoi Qeverinë Kurti se në KSHC ka emëruar pjesë të bordeve, njerëz që kanë lidhje me VV-në. Deputetja Eliza Hoxha akuzoi MASHT-in për punësimin e ish-aktivistit të VV-së, Rron Gjinovci, në komisionin për konkursin për anëtarët e Bordit të KSHC-së. Ajo akuzoi Ministrinë për përzgjedhjen e Seb Bytyçit në KSHC edhe “pse s’ka qenë pjesë e listës së parë të atyre që kanë plotësuar kushtet”. Hoxha ka përmendur edhe Hasnije Ilazin “e cila ka qenë e angazhuar në organizatën KEC të themeluar nga zëvendësministri aktual i Arsimit, Dukagjin Pupovci dhe ka qenë mentore e Rron Gjinovcit, si dhe profesorin Gëzim Tosuni i cili edhe publikisht tashmë dihet që është nipi i zv.kryeministrit Besnik Bislimi”.
Një ditë pas kësaj akuze, ministrja Nagavci në Facebook ka thënë se Komisioni për shqyrtimin e dokumentacionit të të nominuarve për anëtarë të KSHC-së është “formuar bazuar në legjislacionin në fuqi: Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Konferenca e Rektorëve, ndërkombëtarët, shoqëria civile e kanë rekomanduar nga një anëtarë derisa nga MASHTI ka pasur një përfaqësues të saj”.
Ajo ka thënë se anëtarët e KSHC-së janë përzgjedhur në bazë të rekomandimeve të komisionit.
“Këshilli Shtetëror i Cilësisë është një organ që ka rendësi të jashtëzakonshme në arsimin e lartë. Ndikimet partiake në AKA kanë shkaktuar tashmë dëme të mëdha, andaj çdo përpjekje për ta dëmtuar edhe më shumë është e pa tolerueshme. Ne jemi duke punuar shumë që t’i riparojmë dëmet e shkaktuara nga qeveritë e kaluara ku si pasojë e ndërhyrjeve të skajshme politike, Agjencia e Kosovës për Akreditim u përjashtuar nga ENQA dhe EQAR, andaj ne do të krijojmë kushtet për të aplikuar për rikthim. Asnjë ndikim politik apo tjetër nga kushdo nuk do ta tolerojmë”, është shprehur Nagavci.
Nagavci ka folur edhe për emërimin e zëvendësueses së sekretarit në MASHT duke thënë se Fadile Dyla është drejtoresha me përvojën më të gjatë brenda Ministrisë. Ka thënë se Agim Bërdyna është larguar nga ushtruesi i detyrës së sekretarit për shkak se “i njëjti ka qëndruar në këtë pozitë më shumë se një vit, edhe pse legjislacioni në fuqi përcakton se, përveç në raste të mungesës së mbajtësit të postit për shkaqe shëndetësore, asnjë pozitë e lartë drejtuese nuk duhet të plotësohet me ushtrues detyre për më shumë se 3 muaj”.
Në fund ajo ka thënë se janë hapur procedurat për plotësimin e pozitës së sekretarit.
“Çdo keqinformim për sa më sipër bëhet ose në mungesë të informatave të sakta ose me qëllime dashakeqe. Si ministre e Arsimit jam e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë dhe po ashtu, pres korrektësi nga të gjitha palët. Si Ministri e Arsimit jemi të hapur të ofrojmë përgjigje për çdo çështje që ju intereson dhe presim informim të drejtë”, ka përfunduar Nagavci.