Arbëri

Nagavci e quan artificial e të pabazë debatin për testimin e mësimdhënësve

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka quajtur artificial dhe të pabazë debatin për testim të mundshëm të mësimdhënësve.

Ajo përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se legjislacioni aktual nuk parasheh testimin si mjet vlerësimi për mësimdhënësit.

Më herët, edhe kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, Rrahman Jasharaj, tha se nuk do të lejohet një testim i tillë.

“Në situatë të pandemisë përkushtimi kryesor i joni vazhdon të jetë sigurimi i shëndetit të nxënësve dhe mësimdhënësve në shkollë. Prioritet i përditshëm i Qeverisë është ngritja e cilësisë në mësimdhënie. Në këto rrethana, kur pasojat e pandemisë do të jenë afatgjata në procesin arsimor, debati për testim të mësimdhënëseve është artificial dhe i pabazë.

Legjislacioni aktual përcakton me saktësi procedurat e vlerësimit të performances së mësimdhënësve në të cilat aktualisht testimi nuk parashihet si mjet vlerësimi”, ka shkruar Nagavci.