Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Naftëtarët kundërshtojnë kompaninë e autorizuar nga MTI-ja për pastrimin e rezervuarëve

Kompania “Adriainspekt Kosova” është autorizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për pastrimin e rezervuarëve të derivateve të lëngëta të naftës.

Me autorizimin e saj, secili subjekt ekonomik që aplikon për licencim duhet që t’i bashkëngjisë edhe dëshminë për pastrimin e rezervuarve, raporton KOHA.

Por, shoqata, e cila me merret me qarkullimin e naftës, derivateve të naftës dhe gazrave po kundërshton Udhëzimin Administrativ, i cili parasheh pastrimin e rezervuarëve të naftës çdo tre vjet.

Përveç kundërshtimit, thotë se kanë probleme që të kontaktojnë me kompaninë e autorizuar.

“Askund në botë nuk bëhet çdo tri vite pastrimi i rezervarëve. Shoqata e naftarëve nuk është kundër pastrimit të rezervaruëve, por afatet kohore sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe shteteve në regjion. Kjo kompani nuk është duke u lajmëruar, bizneset po kanë problem, nuk mund ta vazhdojnë licencën. Është një kaos në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë”, ka thënë kryetari i Shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani.

Edhe MINTI paralajmëron masa nëse ka luhatje të pajustifikueshme të çmimit të naftës Arbëri MINTI paralajmëron masa nëse ka luhatje të pajustifikueshme të çmimit të naftës

Pastrimi i rezervuarve çdo tre vjet sipas naftëtarëve, është një barrë e madhe financiare dhe se mund të ndikojë edhe në rritje të çmimit të derivateve.

“Unë që i kam 14 pika të karburantit duhet 100 mijë euro për pastrimin e rezervarve. Kjo po të detyron, nuk po e mbron konsumatorin, vetëm po vjelë taksa. Konsumatorin e mbrojmë edhe ne nëse e kemi cilësinë e mirë dhe produkti është kualitativ. Ne jemi kundër kësaj dhe ajo duhet të jetë mbi 10 vite, por do të bëhet inspektimi i rezervaarve dhe pas kësaj mund të marrë masa inspektori, e jo të japim nga 1 mijë euro”, ka thënë Habib Morina, pronar i kompanisë “Patroni”.

Por, nga MTI-ja thonë se pastrimi i rezervarëve ka qëllim ngritjen e cilësisë së derivateve të naftës dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Ndërkohë, kanë thënë se kompania e autorizuar tashmë ka vulosur disa kërkesa të subjekteve ekonomike.

“DRRTN-ja ju njofton se nga kompania e autorizuar tashmë janë vulosur disa kërkesa të subjekteve ekonomike, që shërben si dëshmi se kompania e autorizuar ka filluar me veprime për t’i pajisur me vërtetim për pastrimin e rezervuarëve. Në momentin që pranohen ankesa nga subjektet ekonomike në DRRTN do të ndërmerren masa për trajtimin e tyre konform legjislacionit në fuqi. Edhe pse Ligji në fuqi për Rregullimin e Tregut të Naftës e ka paraparë edhe më herët pastrimin e rezervuarëve, ju informojmë se pastrimi i rezervuarëve po ndodh për herë të parë në Republikën e Kosovës, e gjithë kjo ka për qëllim ngritjen e cilësisë së derivateve të naftës, mbrojtjes së konsumatorëve dhe qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.

Edhe Kriteret për tregtinë me naftën kërkohet të rregullohen me ligj Arbëri Kriteret për tregtinë me naftën kërkohet të rregullohen me ligj

“Koha” ka provuar që të kontaktojë me kompaninë në fjalë, por numrat zyrtarë që ndodhen Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve kanë qenë jashtë funksionit.

Në kundërshtim të këtij udhëzimi administrativ, ata i janë drejtuar edhe Zyrës së Kryeministrit. Në Kosovë janë mbi 4000 rezervuarë. Pastrimi i një rezervuari sipas naftëtarëve, është rreth 700 euro.