Arbëri

Muzgu i gjeneralëve

Nomenklaturat e vjetra dhe të reja, të krijuara rreth çdo presidenti përmes përkatësisë regjionale të shefit, vidhnin e pasuroheshin brenda natës, pa fije frike, sepse i mbronte partia.

Algjerinë gati e hëngrën çlirimtarët e saj. E shpëtoi populli, sepse atdheun e vet e deshi shumë, por dhe e lau me gjak gjatë shumë luftërave çlirimtare, veçmas në dy shekujt e fundit kundër otomanëve dhe kolonizatorëve francezë. Këtë pranverë, presidentit “metuzalem” Buteflika, asaj kufome të gjallë, që vetëm po frymonte gjatë shtatë vjetëve të fundit, pas sulmeve cerebrale dhe rrethit të tij të korruptuar, ai popull i tha: “Mjaft më...”. Çka do të bëhet më vonë, do të shohim pas zgjedhjeve presidenciale, të cilat po shtyhen, sepse ende vendin e sundon kasta e gjeneralëve nga pavarësia e vitit 1962 dhe pasardhësve të tyre. Ata tani po premtojnë “transicion të qetë” dhe “demokraci të vërtetë”, por populli nuk po “kthehet në shtëpi”. Gjenerali 79-vjeçar, Ahmed Gaid Saleh, shef i shtatmadhorisë që po luan rolin e garantit për kalim paqësor në demokraci, është vetë frenuesi i ndryshimeve, shkruan sot Nehat Islami në Koha Ditore.

Gjenerata ime jemi rritur me Algjerinë në buzë dhe zemër. E kishim njohur vetëm nga lajmet dhe filmi “Gjamila”, ajo heroina e re që u bënte ballë torturave të kolonizatorëve francezë gjatë luftës çlirimtare (1954 – 1962) dhe nuk i zbulonte shokët. Dhjetëra poetë tanë e shfrynin dufin duke shkruar lirshëm për trimëritë algjeriane, sepse ish-shteti ynë i kishte miq, andaj poetët i kishim alibi të fortë. Anëtarët e bërthamës revolucionare të luftës algjeriane si Ben Bela, Sherif Bekasemi, Bumediani, Kaid Ahmeti, madje edhe Buteflika, ishin heronj të shtëpive tona. Emrat ua dinim në gjumë, pa i parë asnjëherë. E mbaj mend që njerëzit tanë qanin, atëherë kur ushtria franceze në Algjeri e zbriti në tokë me dhunë një aeroplan të vogël, sa më kujtohet egjiptian, ku gjendeshin njerëzit kryesorë të Revolucionit Algjerian. Ata u prangosen, por ai ishte fundi i luftës. Gjenerali i madh francez De Gol kishte vendosur t’i jepte Algjerisë pavarësi, pas gati një milion të vrarëve gjatë luftës së fundit (1956-62) vetëm nga ana e algjerianëve dhe zgjatjes së kolonisë franceze që nga viti 1830.

Marrëveshja e paqes u nënshkrua në Evian të Francës. Gjeneratat e reja e kanë dëgjuar këtë emër përmes burimeve të ujit mineral, të njohur në mbarë botën. Stilolapsi i Ben Beles, shefi i Frontit Çlirimtar të Algjerisë (FLN) shënoi fundin e krajatave të popullit të pjekur mbi flakët e kryengritjeve dhe luftërave, ndërsa disa muaj më vonë pas referendumit në Francë dhe Algjeri, pavarësinë e Algjerisë e vulosi presidenti De Gol, pavarësisht shumë atentateve, fatmirësisht të pasuksesshme kundër tij nga ana e OAS – Organizatës së fshehtë ushtarake franceze. Mirëpo, mbahet mend se Franca e njohu ndër të parat pavarësinë e ish-kolonisë së saj më rebele në Magrebin arab.

Ben Bela, një shpresë e shuar

Ben Belen e kam parë të gjallë gjatë vizitës së tij në Zagreb, më 1964. Gati i gjithë qyteti kishte dalë ta priste. Më kujtohet se koleget studente çmendeshin pas tij, derisa po kalonte me suite shesheve të gjëra të kryeqytetit kroat. Ai ishte presidenti më simpatik i kohës. I ri, i pashëm dhe që rrezatonte shpresë për të udhëhequr një vend të shkatërruar. Ishte epoka e dekolonizimit të shumë shteteve, kurse Ben Bela kishte një bagazh shumë të madh si udhëheqës trim në luftën çlirimtare. Rrezatonte shumë energji për të filluar një jetë të lirë dhe dinjitoze në të mirë të popullsisë së lodhur nga lufta e gjatë çlirimtare, torturat çnjerëzore të kolonialistëve, pastaj edhe nga përndjekja e afro 900 mijë harki-ve, ose “pied-noir”, si quheshin kolonët evropianë të ardhur në Algjeri gjatë 130 vjetëve dhe veglat e tyre vendore që shkelën fort mbi popullsinë lokale. Nipërit e tyre tani shpesh kallin lagjet periferike të Parisit, të pakënaqur me statusin e vet.

Gjatë vizitës sime të parë në Algjeri, më 1984, pata rastin të bisedoja me dëshmitarët e kohës së ikjes së harki-ve. Ata rrëfenin se pas pavarësisë, Parisi zyrtar dërgonte shumë anije të veta dhe të marra me qira, për t’i tërhequr njerëzit e vet që kishin bërë krime ndaj popullsisë vendore. Anijet mbimbusheshin, siç thoshin “spicë” dhe nguteshin të largoheshin sa më parë drejt Marsejës. Disa harki dhe veglat e tyre algjeriane, kur nuk arrijnë të ngjiteshin në anije, gjuheshin në det për t’u kapur në litarët e trashë që shkonin zvarrë mbi det, gjatë nisjes. Shumë prej tyre janë mbytur. Disa mijëra u vranë nga vendoret pas pavarësisë, në shenjë hakmarrjeje.

Kolonizatorët francezë ndaluan arabishten

Një infermiere e moshuar më shpjegonte se kolonizatorët ua kishin ndaluar të flisnin arabisht me pacientët. Dënimet ishin shumë drastike. Ata, që nuk e dinin frëngjishten, flisnin me gishtërinj dhe gjestikulacione të tjera. Gjerë në këtë masë ishte trashur zullumi. Këto shkrime janë botuar në gazetën “Rilindja” të asaj kohe.

Algjerinë e ndieja më afër se shumica e gazetarëve të huaj atje, sepse ia njihja dhembjet si të popullit tim, andaj me gëzim pranoja ftesat e Organizatës Çlirimtare Palestineze për të marr pjesë në ngjarjet e ndryshme të kësaj lëvizjeje, që zakonisht mbaheshin në Algjeri, pasi ata ishin dëbuar nga Bejruti më 1982. Këtë kënaqësi e ndjeva në nëntor të vitit 1988, ku palestinezët shpallën në Algjeri pavarësinë e shtetit të tyre, i cili nuk po jetësohet ende.

Por, zhgënjimi im i madh me Algjerinë ndodhi disa vite më parë, kur u gjenda aty në mesin e gazetarëve të dyzet shteteve, me ftesë të Qeverisë algjeriane. Njëzet ditë u sorollatëm në të gjitha anët e këtij shteti më të madh afrikan, me rreth dy milionë e gjysmë kilometra katrorë, me male te larta dhe det të kaltër, me shumë fqinj, të cilët njeriu i rëndomtë është vështirë t’i mbajë në mend dhe me shtim të madh të popullatës.

Atëherë filloi të më dhimbsej më shumë Ben Bela, idhulli im, i cili ishte përpjekur të krijonte shtet “me fytyrë njeriu”, si e kishte zakon të e thoshte, por Huari Bumediani dhe “bishti i tij”, Buteflika, e rrëzuan me grusht shtet më 1965, sepse kishte “shkelur vijën e trashë të socializmit arab”. Pasardhësi i tij Huari Bumedieni u bë sinonim i njeriut që mburrej me varfërinë e popullit. Për të ishte e rëndësishme që të mbretëronte barazi në varfëri dhe në shpërndarjen e dajakut të bollshëm për të gjithë ata që kërkonin jetë më të mirë në vendin që fle mbi burimet e mëdha të naftës dhe gazit, ndër dhjetë prodhuesit më të mëdhenj në botë.

Miliardat e derdhur gabimisht

Paratë po shpenzoheshin për “ekonominë shtetërore” sipas modelit sovjetik. Më kujtohet një udhëtim i gjatë në shkretëtirë, nja 1.200 kilometra në jug të Algjerit, ku gjendej një fabrikë e madhe e gypave si kjo e Ferizajt. Lënda e parë udhëtonte me kamion të rëndë 2.500 kilometra për të dërguar lëndën e parë dhe për t’i kthyer gypat e salduar sërish në kryeqytetin Algjer, sepse Bumedieni dëshironte të ndalte largimin e dyqind beduineve nga ajo oazë.

Ishte e pakuptimtë që gjithashtu në largësi të njëjta ishte ngritur një fabrikë e përpunimit të leshit, ndërsa në shkretëtirë nuk shihej asnjë dele, pos capinëve të zallit. Ende ishte koha e çmimeve të mira të naftës dhe gazit, por kur viteve të tetëdhjeta çmimet ranë papritur, udhëheqja algjeriane vendosi t’i kthente kalkulatorin, duke reduktuar shumë industrializimin e “dhunshëm”. Iu kthyen bujqësisë, por pa shumë suksese. Që atëherë shteti lejoi paraqitjen e tajkunëve të lidhur me pushtetarë që po vidhnin kolektivisht.

Shteti vazhdonte të shpenzonte miliarda dollarë për të mbrojtur “socializmin arab”, që nuk ishte asgjë tjetër pos kopje e socializmit sovjetik, gjer diku edhe kinez, të përzier me nacionalizëm, shpesh primitiv, ndërsa në qytete nuk gjendeshin as gjëra më elementare për jetë. Kisha harruar në shtëpi zhiletin e rrojës, andaj iu drejtova një berberi në Algjer të ma gjente një bic, pasi në dyqane kishin harruar kur kishin pasur këtë send kaq të rëndomtë. M’u desh të shkoja tri herë në berberhane, derisa pronari ma dha fshehurazi zhiletin, duke u ruajtur që të mos e shihte askush. Kjo quhej kontrabandë. Nomenklaturat e vjetra dhe të reja, të krijuara rreth çdo presidenti përmes përkatësisë regjionale të shefit, vidhnin e pasuroheshin brenda natës, pa fije frike, sepse i mbronte partia.

Kulmin e zhgënjimit të këtij udhëtimi të mërzitshëm e ndjeva kur na shpinin në çdo qytet e fshat për të parë “lumturinë e popullit”. Një ditë pranë tavolinës, gjatë një darke të grupit të gazetarëve të huaj qëllova pranë redaktorit të emisioneve të gjuhës frënge të Radio Berlinit, kur ende të dy Gjermanitë ishin të ndara. Duke pirë verë të mirë algjeriane dhe biseduar për tema “asnjanëse” më erdhi në mendje dhe i thashë se Gjermanitë duhet të bashkohen. Atij i erdhi thua se ia shava nënën. Shtrëngoi dhëmbët dhe shpërtheu: “Kurrë”.

Udhëtimet vazhduan edhe disa ditë, por ai më as nuk e ktheu kokën nga unë. Dy vjet më vonë gjermanët u bashkuan, pa pikë gjaku.

Mbresë të pashlyer në Algjeri më la “hapi i shkretëtirës”, ajo fuqi e trishtueshme e zallit të kuqërremtë, që për çdo vit gëlltiste gjerë në 20 metra tokë pjellore, duke “ecur” kështu drejt Detit Mesdhe. Me mijëra njerëz, me mekanizmat e rëndë, po luftonin me natyrën, duke mbjellë miliona drunj të ndryshëm si digë. Fatkeqësisht u harxhuan qindra milionë dollarë, por shkretëtira nuk e ndali “hapin”.

Kasta e vjetër po manipulon

Hapin nuk e ndalën as islamikët, kur më 1991 e fituan raundin e parë të zgjedhjeve të përgjithshme, por ata i ndali grusht shteti i gjeneralëve. Ranë 150 mijë njerëz, disa vjet rresht, derisa më 1999 erdhi në front Buteflika, me vota, pa kundërkandidat, sepse kështu kishte vendosur partia e gjeneralëve. Ai nuk la ndonjë gjurmë të lakmueshme, veçmas gjatë këtyre gjashtë vjetëve të fundit, Buteflika kishte ndërruar Kushtetutën për të hequr limitin e dy mandateve.

Abdelaziz Buteflika i kaloi gjashtë vjetët e fundit më shumë në spitalet franceze ose duke fjetur në kolltuk, derisa gjeneralët dhe shefat e sigurimit e “forconin” pushtetin duke mos çarë kokën për shumë halle të popullit dyzet milionësh, prej të cilëve çdo i treti i ri, shumica të shkolluar enden rrugëve të papunë, ose ëndërrojnë ikjen në Evropë. Algjeria po rritet nëpërmjet natalitetit rekord vjetor prej 1.7 për qind.

Kupa u derdh kur Buteflika, ndonëse pa aftësi të komunikojë, i molisur nga sëmundjet dhe pleqëria e thellë këtë fillimvit kërkoi me shkrim mandatin e pestë presidencial, por populli i dalë në rrugë, i prirë nga studentët e detyroi që ai, gjithashtu me shkrim, të shpallte dorëheqjen e vet.

Të gjithë me demonstruesit paqësorë, çdo të premte në tërë Algjerinë, donin me kërkesë për të zgjedhur president të ri, të shkolluar dhe pa asnjë njollë të çfarëdo lidhjeje me pushtetin aktual, si dhe largimin nga skena politike te kastës ekzistuese. Të shkojnë sa më parë, dikush në burg e dikush në pension. Gjeneralët, tradicionalisht prorusë, dhe me aparatin e sigurimit që kopjoi me besnikëri metodat represive të kolonizatorëve francezë, e më vonë edhe të KGB-së sovjetike. Një nga urdhrat e para të gjeneralit Saleh, pas largimit të Butefikes, ishte ndalesa e valëvitjes së flamurit berber në manifestimet popullore, që vazhdojnë. Populli berber, nga Kabila (malësia) algjeriane përbëjnë 20 përqindëshin e numrit të banorëve të vendit. Berberët ishin në ballë të luftës kundër kolonializmit francez, në ballë të reformave dhe të zhvillimit kulturor të vendit, por gjithnjë nën dyshime nga pushtetet algjeriane, sepse nuk duan të hiqnin dorë nga përkatësia dhe gjuha e tyre berbere. Më duket se kjo është një nga arsyet që kanë shpikur shumica e sundimtarëve të Algjerisë për të mos e njohur shtetin e Kosovës. Arsyeja tjetër është prezenca tradicionale e ndikimit rus, përmes shitjes së sasive të mëdha të armatimit të vet për Algjerinë, që ishte dhe mbeti fanar i revolucioneve dhe grusht shteteve në Afrikë. Kredi ruse, kliringu me naftë të lirë dhe mbështetja e politikës së përbashkët antiamerikane kanë vazhduar.

Postin e presidentit të përkohshëm e mban Abdukader Bensulah, njeri i gjeneralëve i cili, siç pritet, do të shkarkohet nëse “frenon” edhe më tej transicionin. Me ardhjen e njerëzve të rinj në krye të Algjerisë pritet të ndryshojë edhe “dashuria e verbër” ndaj Moskës, sepse shumica e popullsisë shikon nga një botë tjetër, më të afërt për të.

Si problem do të mbetet dhelpëria e gjeneralit Saleh dhe gardës së 1962-s, që vazhdojnë të manipulojnë për të shitur pasardhësit e tyre si demokratë, me qëllim të vazhdimit të frymës së vjetër me ambalazh të ri. Ata ende filtrojnë kandidatët për president të ri, duke përzgjedhur njerëz të cilët nuk i do populli, ndërsa gjeneralëve rruga nuk po u realizohet.

(Nehat Islami ka qenë korrespodent shumëvjeçar i gazetës “Rilindja” në Lindjen e Mesme)