Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mustafa: Vetë ndërkombëtarët me analfabetët funksionalë e sollën Kurtin në pushtet

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se janë vetë ndërkombëtarët dhe ata që i ka quajtur analfabetë funksionalë ata që e sollën kryeministrin aktual Albin Kurti në pushtet, duke komentuar raportet e vendit me aleatët ndërkombëtarë pas tensioneve të fundit në veri.

Mustafa përmes Facebookut ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës e prishi koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2020 vetëm për të evituar konfrontimin me SHBA-në, edhe pse siç thotë ai, e pagoi shumë shtrenjtë.

“LDK në vitin 2020 prishi koalicionin me VV-në për të evituar konfrontimin e Kosovës me SHBA-në. E pagoi çmimin më të shtrenjtë me rreth 100 mijë vota! Por në atë kohë VV-në e përkrahnin diplomatët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian e…. E sollën vetë në pushtet së bashku me analfabetët funksionalë”, ka shkruar Mustafa.

Ish-kryeministri i Kosovës frikësohet se çmimin e prishjes së relacioneve me SHBA-në dhe BE-në nuk do ta paguajë Kurti e presidentja Vjosa Osmani, por siç ka shkruar, do e paguajë e gjithë Kosovës. Ai krenohet se gjatë asaj kishin vepruar në interes të Kosovës si LDK.

“Sot, frikësohem se çmimin e prishjes së relacioneve me SHBA-të dhe BE-në , nuk do ta paguajë VV me Kurtin dhe Osmanin, por do ta paguajë e gjithë Kosova. Ngushëllimi i vetëm më mbetet se Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte vlerësuar drejtë rrezikun dhe vepruam mirë në interes të Kosovës”, ka shkruar tutje Mustafa.