20:20 - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa shpreh pikëllim të thellë për vdekjen e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan.
Telegrami i Mustafës:
“Kofi Annan për punën e tij humanitare fitoi Çmimin Nobel për Paqe.
Populli shqiptar do ta kujtojë Kofi Annanin për kontributin e tij në periudhën e luftës në Kosovë dhe për rolin kyç të OKB-së në rindërtimin e paqes në Kosovë.
Kosova vlerëson kontributin e çmueshëm në promovimin e paqes të ish-Sekretarit të OKB-së, Kofi Annan, dhe në përhapjen e vlerave demokratike në Ballkanin e trazuar nga luftërat, si dhe në përkrahjen e të drejtës fundamentale të krijimit të shtetit të lirë.
Bota ka humbur një njeri të madh”, ka thënë Mustafa.
Veseli: Annan do të mbahet mend për kontributin për lirinë e Kosovës
18:16 - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-sekretarit të OKB-së, Kofi Annan.
Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se Annan do të mbahet mend nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës për kontributin e çmuar që ai ka dhënë gjatë luftës në Kosovë.
“Institucionet dhe qytetarët e Kosovës do ta mbajnë mend gjithmonë emrin e ish-sekretarit të OKB-së, Kofi Annan, i cili gjatë luftës në Kosovë dha kontribut të çmuar për lirinë e Kosovës. Me vdekjen e Kofi Annan, bota ka humbur një diplomat dhe një paqedashës humanitar”, ka shkruar Veseli në Facebook.
Haradinaj: Annan pati rol të madh në kauzën tonë për liri
13:25 - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka kujtuar Kofi Annanin, i cili vdiq sot në moshën 80 vjeçare.
Ai thotë se Annan ishte një nga diplomatët më të njohur që kontribuoi në paqen botërore, e në veçantë në kauzën e Kosovës për liri, transmeton Koha.net.
“Sot bota ka humbur një nga diplomatët më të njohur që për vite me radhë i kontribuoi paqes dhe zgjidhjes së konflikteve në botë, Kofi Annan. Fituesi i çmimit Nobel, pati rol të madh në kauzën tonë për liri, duke mbështetur bombardimet e NATO-s dhe më pas shtetndërtimin e Kosovës. Do ta kujtojmë përherë, njeriun që kauzës sonë për liri dhe pavarësi i dha mbështetjen e duhur”, ka shkruar Haradinaj.
Pacolli: Annan do të kujtohet për mbështetjen e fuqishme ndaj Kosovës për liri dhe pavarësi
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-Sekretarit të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, i cili vdiq në moshën 80-të vjeçare.
“Ish-Sekretari i Kombeve të Bashkuara dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqe gjithherë do të kujtohet si një njeri vizionar, që me lidershipin e tij i kontribuoi parandalimit të konflikteve dhe promovimit të paqes globale. Në vendin tonë, ai gjithmonë do të mbahet në mend për mbështetjen e fuqishme ndaj kauzës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi gjatë luftës së vitit 1999. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, popullit dhe institucioneve të Ganës dhe Kombeve të Bashkuara”, ka thënë kryediplomati kosovar.