Një përplasje në distancë duket të jetë ajo në mes të kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, dhe prurjes së re në partinë e tij Driton Selmanaj, i cili sipas të gjitha gjasave është në pesëshen më të votuar të listës së koalicionit LAA.
Selmanaj ka thënë në një paraqitje televizive në Rrokum se do të largohej nga LDK-ja nëse ajo bën koalicion me PDK-në.
Mustafa ka thënë se LDK-ja të cilës ai i prinë është parti e cila nuk vepron as sipas kushtëzimeve dhe as sipas shantazheve individuale.
“As me kutin e propozimeve dhe projeksioneve ad hoc”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka shkruar tutje se “qëndrimi i LDK-së është publik se nuk ka koalicion me PDK-në dhe me koalicionin ku është PDK”.
“Me tjerët vlerësojmë pas certifikimit të rezultateve, por gjithnjë sipas interesit të votuesve të LDK-së”, ka thënë Mustafa.
“Fushatën e kaluam dhe jam i bindur se, pavarësisht deklaratave të individëve për t’u protagonizuar para opinionit, të gjithë e kanë të qartë qëndrimin e organeve dhe strukturave të LDK-së, të cilat janë të vetmet që vendosin për këto çështje”, ka thënë Mustafa.
Megjithatë, edhe vetë anëtari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke folur në Rrokum për opsionet e kësaj partie pasi doli subjekti i tretë në zgjedhjet e 11 qershorit, ka mohuar mundësinë e koalicionit qeverisës me PAN-in, pikërisht për shkak të Partisë Demokratike së Kosovës.
“Koalicioni me PDK-në është i rrezikshëm për vendin. Unë nuk jam pjesë e LDK-së nëse kjo vendos të formojë koalicion me PDK-në”, citohet të ketë thënë Selmanaj.
Ndërkohë, edhe Haki Rugova, nënkryetar i LDK-së gjatë ditës ka deklaruar se pas certifikimit të rezultateve LDK do të flasë me të gjitha partitë, duke mos përjashtuar PDK-në.