Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mustafa kërkon të shpallet “sa më shpejt” gjendja e jashtëzakonshme

Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kërkon nga krerët shtetërorë që sa më parë të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme si masë parandalimi ndaj përhapjes së koronavirusit të ri, COVID-19.

Përmes një statusi në Facebook, ai thotë se paniku te qytetarët dhe bizneset evitohet, veç kur i shohin se po punojnë bashkë ata që po kërkojnë me arsye disiplinë nga çdo subjekt.

“Sot, si kurrë më parë, është koha që institucionet e Kosovës pareshtur të komunikojnë mes veti. Presidenti, Parlamenti, Qeveria”, thotë Mustafa. “Duhet të veprohet sa më shpejt edhe me gjendje të jashtëzakonshme, sepse po përballemi me një fatkeqësi e cila po shpërndahet në tërë territorin e Kosovës. Pse të pritet më shumë? Kushtetuta ka folë qartë!”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook.

Sipas kreut të LDK-së, ajo që po vërehet është se deri sot virusi po shpërndahet në proporcion aritmetik, në ndërsa ditët në vijim, thotë ai, mund të kemi proporcione gjeometrike, “prandaj duhet të sillet nën kontroll”.

Kosova ka shpallur gjendjen e emergjencës së shëndetit publik para pak ditësh, pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirusin e ri në vend.

Deri më tani, në Kosovë janë konfirmuar 17 raste të prekura me këtë virus.