Në podcastin PIKË, ekonomisti Muhamet Mustafa ka rikthyer kujtimet dhe analizën për një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së Kosovës — vitet ’60, rënien e Aleksandar Rankoviqit dhe demonstratat e vitit 1968 — ngjarje që, sipas tij, shënuan një kthesë të madhe në pozicionin politik të vendit brenda ish-Jugosllavisë.
Gjatë bashkëbisedimit me publicistin Veton Surroi, Mustafa thekson se demonstratat e 1968-s shpërthyen pas tërheqjes së establishmentit politik nga përpjekja për ta avancuar Kosovën në nivel Republike, nën udhëheqjen e Fadil Hoxhës.
Ai vlerëson se hezitimi i kohës, i ndikuar nga qëndrimet e Titos dhe Edvard Kardelit, krijoi revoltë dhe pakënaqësi, por njëkohësisht hapi rrugë për ndryshime të rëndësishme, duke përshpejtuar krijimin e Universitetit të Prishtinës dhe reforma të tjera të mëdha.
Mustafa ndalet edhe te viti 1966, momenti kur ra Rankoviqi, të cilin e kujton si një ngjarje të madhe që e gjeti në fund të vitit të parë të gjimnazit. Ai rrëfen se procesi i derankoviqizimit, i filluar me mbështetjen e Fadil Hoxhës dhe udhëheqësisë së kohës, nxori në pah të gjitha deformimet e regjimit policor dhe krijoi hapësirë për artikulimin e kërkesave të reja politike.
Në vijim, ai përshkruan edhe fillimin e debatit për ndryshimet kushtetuese të viteve 1967–68, ku figura të njohura si Gazmend Zajmi, Syrja Pupovci, Hajredin Hoxha, Fehmi Agani e të tjerë, punuan drejt konceptimit të Kosovës si një entitet tërësisht të shkëputur nga Serbia — edhe pse termi “Republikë” nuk përdorej hapur në fillim.
Mustafa shton se, si i ri 16–17 vjeç, nuk e kishte preokupim çështjen e Republikës, duke besuar se bashkimi kombëtar do të vinte natyrshëm, por thekson se diskutimet e vitit 1968 e shënuan fillimin e artikulimit të qartë të kërkesave politike të shqiptarëve në Kosovë.