Në episodin e 32-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është një prej ekspertëve më eminent të ekonomisë, Muhamet Mustafa. 
 

Mustafa: Strategjitë ekonomike 1968-1981 vendosën bazat për zhvillimin e Kosovës

37 min. më parë / 23 nën 2025 20:44
Muhamet Mustafa

Ekonomisti Muhamet Mustafa, në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me Veton Surroin, ka analizuar vendimet kyçe ekonomike të Kosovës gjatë periudhës 1968–1981, duke i cilësuar si thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të vendit.

Ai thekson se infrastruktura rrugore, investimi në arsim dhe formimi i kuadrove të kualifikuara ishin prioritet i hershëm, ndërsa krijimi i konglomerateve dhe ‘holdingjeve’ si Agro-Kosova, Trepça Holding, KEK dhe Eksimkosi hodhën bazat për zhvillimin e bujqësisë, industrisë dhe sektorit përpunues. 

“Vendimet strategjike kanë qenë infrastruktura dhe rrugët ne i kemi pasë gati në nivel të vendeve tjera të rajonit, mos me thonë shumë më të mira se Shqipëria. E mandej është vendim strategjik që duhet patjetër me i dhanë prioritet shkollimit të kuadrove, sepse pa dije, pa teknologji të reja, pa një dije teknologjike, financiare, të marketingut nuk mundet mu zhvillu... E treta është një krijim i disa qendrave, konglomerateve, një holding që kanë qenë, për shembull, Agro-Kosova, që ka e ka kriju një masë kritike të mundësive të zhvillimit të bujqësisë, krejt bujqësisë së Kosovës edhe përpunimit. Mandej, tjetra, ka qenë jo veç AgroKosova, ka qenë Trepça Holding, ka qenë KEK-u Holding, ka qenë Eksimkosi Holding, kanë qenë industria e drurit, holding industria metaleve, holding domethënë krijoheshin disa konglomerate edhe grupe, që filluan me u zhvillu grupet eksportuese, si rezultat i saj”, ka thënë Mustafa. 

Mustafa shton se investimet strategjike në hidrosisteme, si Ujmani dhe Ibër-Lepenci, siguruan burime jetike për vendin, i cili ishte ndër më të varfrit me ujë në Evropë.

Mustafa rrëfeu gjithashtu sfidat e pjesëmarrjes së Kosovës në Fondin e Federatës për Kreditim dhe dialogun e tensionuar me strukturat federative, duke theksuar se pjesëmarrja e vendit u rrit gradualisht duke reflektuar një balancim të interesave dhe nevojave lokale.

Ai thekson gjithashtu bashkëpunimin ndërgjeneracional në strukturat e kohës, duke vlerësuar angazhimin e Fadil Hoxhës dhe figurave të tjera kyçe në udhëheqjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës, përkundër tensioneve dhe sfidave të periudhës.

 

Mustafa: Demonstratat e vitit 1968 ishin kthesë e rëndësishme për ndryshimin e rrjedhës politike

1 o. më parë / 23 nën 2025 20:16
Muhamet Mustafa

Në podcastin PIKË, ekonomisti Muhamet Mustafa ka rikthyer kujtimet dhe analizën për një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së Kosovës — vitet ’60, rënien e Aleksandar Rankoviqit dhe demonstratat e vitit 1968 — ngjarje që, sipas tij, shënuan një kthesë të madhe në pozicionin politik të vendit brenda ish-Jugosllavisë.

Gjatë bashkëbisedimit me publicistin Veton Surroi, Mustafa thekson se demonstratat e 1968-s shpërthyen pas tërheqjes së establishmentit politik nga përpjekja për ta avancuar Kosovën në nivel Republike, nën udhëheqjen e Fadil Hoxhës. 

Ai vlerëson se hezitimi i kohës, i ndikuar nga qëndrimet e Titos dhe Edvard Kardelit, krijoi revoltë dhe pakënaqësi, por njëkohësisht hapi rrugë për ndryshime të rëndësishme, duke përshpejtuar krijimin e Universitetit të Prishtinës dhe reforma të tjera të mëdha.

Mustafa ndalet edhe te viti 1966, momenti kur ra Rankoviqi, të cilin e kujton si një ngjarje të madhe që e gjeti në fund të vitit të parë të gjimnazit. Ai rrëfen se procesi i derankoviqizimit, i filluar me mbështetjen e Fadil Hoxhës dhe udhëheqësisë së kohës, nxori në pah të gjitha deformimet e regjimit policor dhe krijoi hapësirë për artikulimin e kërkesave të reja politike.

Në vijim, ai përshkruan edhe fillimin e debatit për ndryshimet kushtetuese të viteve 1967–68, ku figura të njohura si Gazmend Zajmi, Syrja Pupovci, Hajredin Hoxha, Fehmi Agani e të tjerë, punuan drejt konceptimit të Kosovës si një entitet tërësisht të shkëputur nga Serbia — edhe pse termi “Republikë” nuk përdorej hapur në fillim.

Mustafa shton se, si i ri 16–17 vjeç, nuk e kishte preokupim çështjen e Republikës, duke besuar se bashkimi kombëtar do të vinte natyrshëm, por thekson se diskutimet e vitit 1968 e shënuan fillimin e artikulimit të qartë të kërkesave politike të shqiptarëve në Kosovë.
 

Mustafa rrëfen sfidat politike në Jugosllavi: Më kundërshtonin pse isha djali i hoxhës

1 o. më parë / 23 nën 2025 20:12
Muhamet Mustafa

Një prej ekspertëve eminent të ekonomisë, Muhamet Mustafa ka rrëfyer sfidat e para të karrierës politike, duke treguar në podcastin PIKË me Veton Surroin se si prej një familjeje me traditë fetare, përballja me strukturat e kohës, paragjykimet dhe presionet politike e shoqëruan që nga momentet e para të angazhimit në Organizatën e Rinisë së Kosovës. 

“Patën dalë disa nga Lidhja Socialiste dhe thonin: qysh djali i hoxhës me qenë udhëheqës? Por ajo u tejkalua”, ka thënë Mustafa, duke kujtuar se propozimi për emërimin e tij kishte ardhur nga paraardhësi Agim Zatriqi ndërsa ishte përkrahur edhe nga figura të asaj kohe si Mahmut Bakalli dhe Xhavid Nimani.
Gjatë bisedës, Mustafa foli edhe për historinë e familjes së tij, duke treguar se gjyshi i tij kishte vdekur gjatë Haxhit në vitin 1926, në malin Ararat, që cilësohet si “vdekje e dëshirueshme”.

Ndërsa për babanë e tij, hoxhë i shkolluar për dhjetë vjet në medrese, Mustafa u shpreh se ai kishte rënë në sy të pushtetit pas Luftës së Dytë Botërore për shkak të një fjalimi ku kishte denoncuar dhunën e brigadave malazeze ndaj shqiptarëve.

“Kishte rrezikuar vdekjen. Fadil Hoxha e thirri dhe i tha: ‘nëse rri në mal, kanë me të vra; hajde se e dimë që s’ke faj’ “, tregoi Mustafa. Sipas tij, ndërhyrja e Fadil Hoxhës ishte vendimtare për tejkalimin e situatës, megjithëse babai i tij kishte refuzuar të hynte në Parti për shkak të rolit të tij fetar.

Mustafa rrëfeu edhe dilemat në kohën kur ishte ftuar të bashkohej me Partinë.

“I thashë ta konsultoj babën. Ai më tha: unë kam pasur mundësi të hyj, por s’kam hy se jam qenë hoxhë. Ti vendos vetë, është kohë tjetër, mundesh me kontribu. Por të them që s’ke me kalu mirë, se të njoh”, tregon ai.

Sipas Mustafës, babai i tij i kishte thënë edhe një paralajmërim profetik.

“Ka me ardhë një situatë që do t’i lakmosh një bariu me dele”, rrëfen eksperti. 

Mustafa shtoi se parashikimi i parë i babait “kishte dalë i vërtetë”, duke nënvizuar se përkundër suksesit në politik, telashet kanë qenë të shumta, sidomos gjatë punës në Qeverinë Federative.

Surroi e përmbylli me vlerësimin se, pavarësisht sfidave, Mustafa kishte qenë “më i suksesshëm sesa e kishte paralajmëruar babai i tij”.