Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se gjatë vitit 2019 ATK-ja ka pasur performancë të mirë ku ka realizuar për herë të parë gjysmë miliardi euro.
Sipas tij, këto të hyra janë si rezultat i luftimit të informaliteti dhe me këto të hyra kanë zvogëluar hendekun tatimor.
Murtezaj në Express Intervistë në KTV ka thënë se kanë qenë një mori i faktorëve që kanë ndikuar në realizimin e të hyrave.
Sipas tij, vitin e kaluar ka pasur 45 për qind më tepër inkasim të borxheve se në vitin 2018.
“Ne kemi vazhduar edhe me aktivitete tjera për automatizimin e aktiviteteve të punës, në këtë rast me ngritjen e kapaciteteve të analizës së riskut. Kjo ka mundësuar që ne si institucion në kohë reale të bëjmë identifikimin mospërputhjes së transaksioneve të cilat deklarohen në ATK. Është zhvilluar kjo platformë dhe tash siguron të dhëna më të sakta. Ne si institucion kemi hy në plan të veprimit dhe reformave afatmesme që përmban 27 reforma dhe njëra nga to është mbledhja e borxheve”, ka thënë ai.
Edhe
Arrestimi i 12 zyrtarëve të ATK-së, Murtezaj: Arritëm ta parandalojmë dëmtimin e buxhetit
Ai ka thënë se borxhi në fillim të vitit 2019 ka qenë 376 milion euro ndërsa në fund të vitit 354 milionë euro.
“Duke ditur peshën dhe rëndësinë e këtij funksioni kemi përgatitur terrenin me qëllim të përmirësimit e efikasitetit të mbledhjes së borxheve. Ligji është shumë i qartë por ka pasur mosveprim nga stafi, duke lejuar të vjetrohen borxhet. Ne kemi kompetencë që në periudhën 6 vjeçare kemi obligim mbledhjen e borxheve”, ka thënë ai.
Sipas tij, pjesa e madhe e fajit për mos mbledhjen e borxheve i takon stafit të ATK-së, por thotë se nuk mund t’i shfajësojnë tatimpaguesit.
Murtezaj thotë se në rast të mosshlyerjes së borxheve ata vendosin barrë tatimore dhe hipotekë në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
Ai thotë se edhe pse është miratuar ligji për falimentim të kompanive, nuk është iniciuar ende ndonjë rast për falimentim.
Duke folur për numrin e inspektorëve, ai ka thënë se nuk është i mjaftueshëm numri aktual i stafit.
Ai thotë se kanë parashtruar kërkesë për shtim të inspektorëve.
Murtezaj për arrestimin e dy inspektorëve tatimorë, ai ka thënë se si institucion nuk janë të paprekshëm në mundësinë e ndikimit të konfliktit të interesit.
Edhe
Murtezaj: Kemi mbi 24 milionë euro më tepër të hyra tatimore sesa vitin e kaluar
“Për neve është shumë e rëndësi që rastet e tilla të lokalizohen dhe të kapen të gjithë personat të cilët kërkojnë ryshfet apo thyejnë ligjin. Ne i bëjmë thirrje qytetarëve dhe komunitetit të biznesit për lajmërimin e rasteve të tilla”, ka thënë ai.
Ai thotë se sektori më problematik për t’u tatimuar është sektori i ndërtimtarisë.