KOHA ka raportuar të mërkurën se Banka Gjermane për Zhvillim ka paralajmëruar mundësinë e ndërprerjes së mbështetjes ndaj Termokosit, në projektin për zgjerim rrjeti që ka vlerën 87 milionë euro.
E ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e ka kritikuar Komunën e Prishtinës për rrezikimin e këtij projekti. Ai ka thënë se qeverisë i është dashur përpjekje që ta sigurojë financimin prej 80 milionë eurosh, e se shumica e tyre janë grant.
“Është e papranueshme që për shkak të keqmenaxhimit që i është bërë ndërmarrjes Termokos nga Komuna e Prishtinës, ky projekt tash të rrezikohet”, ka shkruar Murati pas publikimit të raportit nga KOHA.
Tre alarme për Termokosin i ka ngritur Banka Gjermane për Zhvillim, ku në një letër drejtuar Bordit të ndërmarrjes, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA, KfW-ja ka paralajmëruar se problemet me 159 nënstacione të pakontrolluara, impiantin jofunksional të degazifikimit dhe vonesat për sigurimin e tokës e lejeve, po e rrezikojnë seriozisht projektin 87-milionësh të zgjerimit të rrjetit të ngrohjes. KfW-ja ka paralajmëruar edhe mundësinë e ndërprerjes së mbështetjes për Termokosin.
KfW-ja i ka cilësuar alarmante informatat se janë 159 nënstacione të pakontrolluara dhe pjesërisht të paregjistruara brenda rrjetit të ngrohjes qendrore.
Edhe
Murati i përgjigjet Ramës: Ndërmarrjet gjenden para kolapsit për shkak të keqmenaxhimit tënd
Në të listohen edhe pasojat.
“Funksionimi i nënstacioneve të pakontrolluara shkakton çekuilibrime të sistemit, përfshirë rrjedhje të tepërta, mbingarkesë të gypave dhe pompave, temperatura të larta të ujit që kthehet në sistem, përdorim joefikas të kapacitetit të prodhimit dhe shpërndarjes, si dhe probleme të ndryshme hidraulike, duke shkaktuar përfundimisht furnizim të pamjaftueshëm me ngrohje në zonat e prekura”, thuhet në letrën e KfW-së.
KfW-ja ka shprehur shqetësim se një numër i konsiderueshëm i nënstacioneve të identifikuara nga Konsulenti për Zbatimin janë konsumatorë të panjohur dhe të paregjistruar, të cilët nuk kanë qenë pjesë e projektit të mëparshëm me Termokosin dhe është supozuar se rrjedhin nga zgjerimet e rrjetit të realizuara drejtpërdrejt nga ngrohtorja e kryeqytetit.
Në dokument është thënë se në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes së Veçantë ndërmjet Termokosit, Komunës së Prishtinës dhe KfW-së, të datës 20 dhjetor 2022, për projektin në vazhdim të Ngrohjes Qendrore me Energji Diellore, dhe siç është shtjelluar edhe në letrën e KfW-së të datës 15 tetor 2024, Termokosi duhet të zbatojë çdo zgjerim të rrjetit të ngrohjes qendrore në përputhje me Masterplanin dhe me miratimin paraprak me shkrim të bërë nga KfW-ja.
KfW-ja ka alarmuar edhe për impiantin e degazifikimit, i financuar dhe instaluar në kuadër të projektit të mëparshëm me Termokosin. Në letër theksohet se ai nuk është funksional.
Në dokument theksohet se KfW-ja ka kuptuar që kontraktori ka refuzuar t’i përfundojë punët e mbetura dhe ndërsa shuma e mbajtur si garanci nuk është liruar.
Për vazhdimin e Projektit të Ngrohjes Qendrore me Energji Diellore, KfW-ja ka theksuar edhe një çështje tjetër të cilën e ka vlerësuar me rëndësi po aq kritike. Ka të bëjë me sigurimin e tokës dhe pajisjes me leje, pasi ky institucion financiar ka vlerësuar se këto çështje mbeten të pazgjidhura për shkak të progresit të kufizuar lidhur me zbatimin e Memorandumit Bilateral të Mirëkuptimit ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Komunës së Obiliqit.
Edhe
LVV-ja: Rama e LDK-ja i kanë kthyer ndërmarrjet publike kundër nesh në prag të zgjedhjeve
Në mungesë veprimesh nga Ternmokosi, KfW-ja ka paralajmëruar mundësinë e ndërprerjes së mbështetjes.