Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Murati fton qytetarët t’i bashkohen projektit të Lëvizjes për Bashkim

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, u është drejtuar qytetarëve të Kosovës, që t’i bashkëngjiten projektit politik të kësaj Lëvizjeje, duke e konsideruar si “të vetmen shpresë” për vendin, për zgjidhjen e çështjes shqiptaro-serbe, për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për sundimin e ligjit e zhvillim ekonomik, transmeton Koha.net.

Në këtë adresim Murati thekson se LB-ja deri më sot ka arritur që të dëshmojë se është subjekt politik serioz dhe parimor, që prodhon rezultate konkrete në punë, i cili në themel të vlerave të saj ka etikën e punës.

Në thirrjen e tij drejtuar qytetarëve, kryetari i LB-së, Valon Murati, ndër të tjera ripërsërit se pavarësia e Kosovës ishte vërtet një kompromis në raport me synimin tonë të përbashkët – bashkimin kombëtar, por ishte një hap i madh drejt tij. Hapi kryesor në këtë drejtim është forcimi i sovranitetit të Kosovës, i cili ka mbetur peng i problemeve të pazgjidhura politike me Serbinë. Përkundër faktit që Lëvizja për Bashkim ka ofruar me kohë platformë për zgjidhjen e këtyre problemeve, faktori politik shqiptar, pozitë e opozitë kanë vazhduar me politikën e tyre shkurtpamëse, duke u futur në proces të bisedimeve krejtësisht të papërgatitur, shton ai.

Përveç problemeve të pazgjidhura politike, sot Kosova vuan edhe nga niveli i ulët i zhvillimit ekonomik, niveli i lartë i papunësisë dhe nga mungesa e sundimit të ligjit. Korrupsioni ka depërtuar në çdo segment të jetës, shëndetësia është në gjendje shumë të rëndë, ndërsa cilësia e arsimit është në gjendje të mjerueshme.

Me gjithë këto, siç shprehet Murati, për këtë vend ka shpresë. Në këtë kontekst ai përmend të rinjtë entuziastë, diasporën e gatshme për të ndihmuar vendin, njerëzit që besojnë në shpresë. Sipas tij, lufta kundër korrupsionit, përpjekja për një vend me drejtësi, ekonomi, arsim e shëndetësi më të mirë, janë betejë e përbashkët dhe detyrë patriotike e gjeneratës së re.

Murati nuk ka ngurruar të hedhë kritika qoftë ndaj pozitës, qoftë opozitës. “Mungon një opozite të mirëfilltë”, është shprehur ai. Prandaj, sipas tij, vendi ka nevojë për një politikë krejt ndryshe, ndërsa si të “vetmen shpresë” ai ka preferuar partinë që e drejton.

Artikuj të ngjashëm