Arbëri

Murati fton qeverinë, pozitën, opozitën dhe SBASHK-un të përfshihen në dialog rreth koeficientit për paga

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka dhënë qëndrimin për grevën dhe nevojën e rishikimit të koficientëve përmes një dialogu, siç e ka paraqitur ai, qeveri-parti parlamentare-SBASHK

“Të rishikohen koficientët e ligjit të pagave”, thotë Murati. Përmend se greva e arsimtarëve po përmbyll javën e dytë dhe zgjidhja nuk po duket në horizont.

“Kërkesat e arsimtarëve janë të drejta, ashtu siç është e vërtetë se nxënësit po dëmtohen jashtëzakonisht shumë në këtë situatë. Oferta e qeverisë për rritje të pagave ishte e pamjaftueshme dhe sidomos nën dritën e rritjes së pamenduar të pagave për vetveten, numrit enorm të ministrave, zv.ministrave e stafit tjetër përcjellës edhe vështirë e pranueshme jo vetëm nga arsimtarët por edhe nga shoqëria. Kjo dëshmon sesi një veprim i pamenduar qeveritar mund të shkaktojë një kaos zingjiror në funksionimin e tërë hallkave të shtetit dhe shoqërisë. Duke qenë se kjo çështje duhet të zgjidhet me ligjin për pagat, e ky ligj është në procedura parlamentare, ftoj të gjithë aktorët të përfshihen në një dialog të thellë social”, ka shkruar ai.

Sipas Muratit, qeveria, të gjitha partitë parlamentare, pozitë dhe opozitë si dhe SBASHK-u të fillojnë një dialog i cili do të rezultonte me rishikimin dhe balancimin e koeficienteve, e meqë rast do të rriteshin ato për arsimtarët, mjekët etj., dhe do të zvogëloheshin për qeveritarët.

Fillimi këtij dialogu, sipas Muratit, do të duhej të përcillej me ndërprerjen e grevës.