Ismet Jahiri, nga Shoqata për Fibrozë Cistike, ka deklaruar se mbi 130 fëmijë me fibrozë janë të regjistruar në Kosovë, e për ta ka mungesë të medikamenteve. Ai i ka kërkuar ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, që të nënshkruhet lista e re e barnave esenciale për këtë kategori, duke shtuar se është shpresë për prindërit e fëmijëve që kanë këtë sëmundje.
“Ministër, ju kemi bërë kërkesë për takim urgjent për të iu informuar për mungesën e barnave kryesore për fëmijët me F.C., por deri më tani asnjë përgjigje nga ana juaj. I nderua ministër, mos bëni fotografi koti sepse deri në takimin e ardhshëm me Bordin e SHPFC-Kosova do të organizohemi për protesta të fuqishme, deri në realizimin e të gjitha kërkesave të fëmijëve me fibrozë cistike. Jemi lodhur me premtime të kota, kujdes mos luani me ndjenja të prindërve”, ka shkruar Jahiri.
Ai theksoi përmes një letre të hapur se mungesa e Creonit në doza të ndryshme në Spitalin e Pediatrisë rrezikon jetën e fëmijëve.
“Lista e re e barnave esenciale për qytetarët e Kosovës është nënshkruar me dt. 20. 09. 2019. në listën e re të barnave esenciale janë futur edhe medikamentet kryesore për Fibrozë Cistike si: Pulmozyme-Dorase alfa, Creon dz.të ndryshme, Multivitamin-A.d.e.k kapsulla dhe pika, Mucoclear 3%dhe6%, Antbiotik të ndryshëm”, thuhet tutje.
Ai shtoi se për shkak të situatës së krijuar me koronavirus “nuk merret askush me rekomandime se si të mbrohet kjo kategori e lënë pasdore”.