45 minuta i janë dashur deputetëve të Kuvendit për të nisur seancën e rregullt. Por edhe ajo nuk zgjati shumë.
Seanca nisi me futjen në rend dite të disa projektligjeve dhe disa nuk u përkrahën. Ndërsa, kur erdhi në pyetje votimi në lexim të dytë i projektligjit për Noterinë, mungoi vendimmarrja edhe pse në sallë ishin 80 deputetë.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dha pauzë prej 15 minutave, duke thirrur mbledhjen e kryesisë.
“83 deputet janë në sallë, kemi një situatë të bojkotit, të cilën realisht në rrethana të tilla unë duhet edhe një herë ta thërras Kryesinë për shkak se nuk ka votim. Është e pa precedent më herët nuk ka pas bojkote të tilla por do të shkojmë në pauzë 15 minuta, pastaj vazhdojmë seancën“, tha ai.
Kohëve të fundit, opozita pati paralajmëruar se do të bllokojë vendimmarrjen nëse pushteti nuk i ka votat e mjaftueshme për të bërë kuorumin. Mungesë vendimmarrje ka pasur edhe seancën e kaluar.