12:03 Veseli thotë se nuk do të ketë konfrontime për demarkacionin
Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka shtyrë për një kohë të pacaktuar shqyrtimin dhe votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit, ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Kryekuvendari Kadri Veseli, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, tha se seanca plenare do të mbahet më datë 8 të këtij muaji.
“Çështja e demarkacionit duhet të ketë konsensus. Kërkova nga kryesia të mbetet për një moment të caktuar kur do të ketë konsensus. Kishte unanimitet përveç LDK-së që të jetë menjëherë në rend dite”, tha Veseli.
Veseli tutje shtoi se po punojnë seriozisht e bashkërisht për çështjen e demarkacionit.
“Nuk do të lejoj të ketë konfrontime për këtë temë”, tha ai.
Veseli foli edhe për darkën e mbrëmshme të thirrur nga Behgjet Pacolli.
“Darka ishte rutinë. Nuk është bartje e institucioneve në ambiente private”, tha ai.
“Shtyrja e procedimit në seancë nuk është mungesa e konsensusit por qëllimi për të arritur konsensus”, përfundoi ai.
11:55 Hoti shpreh keqardhje pse sërish shtyhet çështja e demarkacionit në Kuvend
Kryesia e Kuvendit ka nisur mbledhjen në të cilën do të shqyrtohet edhe projektligji për demarkimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit me shefat e grupeve parlamentare parashihej që të shqyrtohet marrëveshja e Demarkacionit dhe të dihet se kur do të dalë në votim.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti foli përsëri për qëndrimin e tyre, raporton KTV.
“Përveç pikave që keni parë, pika kryesore që do të duhej të ishte në seancën e së enjtes do të duhej të ishte pika për demarkacionin por partitë në pushtet e shtyen për seancën e radhës e kjo është për keqardhje”, shtoi ai.
“Po bëhen tri vjet që kjo temë po sillet poshtë e lartë. Ky koalicion është formuar për vendime të mëdha. Por shihet se ky koalicion është shpartalluar. Më nuk i duhet vendit një Qeveri e tillë”, tha Hoti.