Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se është e rëndësishme që Gjermania ta ushtrojë ndikimin e saj për njohjen e shtetësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë bërë ende këtë.
Muja në emisionin “Sonte me Ronin” në KTV, ka përmendur edhe procesin e Berlinit, për çka ka thënë se është jetik për Kosovën.
“Kjo është aspirata jonë strategjike. Në një proces ku Evropa është në qendër në vend të Vuçiqit, për ne natyrshëm është Procesi i Berlinit”, ka thënë deputeti i Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, Procesi i Berlinit është një shtegdalje, andaj duhet të insistohet në trajtimin e krimeve të luftës, pasi Kosova nuk mund të kyçet në një proces konstruktiv me probleme nga e kaluara.
Ai ka folur edhe për refuzimin që Serbia të organizojë referendume e zgjedhje të saj në Kosovë.
Shtoi se praktikat, më të cilat ka synuar Serbia të mbajë këto organizime, nuk janë parë në asnjë prej vendeve demokratike evropiane.
“Sa i përket referendumit, qysh në vitin 2010 ka qenë Maja Kociançiq, e cila në emër të Bashkimit Evropian ka dalë dhe i ka kundërshtuar tendencat për referendume ilegale në Kosovë. Raste të ngjashme nuk njeh as Komisioni i Venecias”, është shprehur ai.
Serbia mbajti referendum për ndryshime kushtetuese më 16 janar, derisa zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare i mbajti më 3 prill.
Sipas Mujës, integrimi në NATO dhe Bashkim Evropian është përmbushje e aspiratave të Kosovës në kuptimin gjeopolitik, por edhe përmirësimin e standardit jetësor.