7 projektligje ka planifikuar Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe një tjetër për plotësim-ndryshim t’i dërgojë në Kuvend, raporton KTV.
Kështu ka deklaruar ministri Skënder Reqica, para Komisionit Parlamentar i cili mbikëqyr këtë ministri.
Ministri Skënder Reqica ka raportuar para Komisionit për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale në lidhje me vonesat në përmbushjen e agjendës legjislative.
Ai, para anëtarëve të këtij komisioni, ka folur për procesin e verifikimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës të cilin e quajti mjaft të vështirë.
Reqica përmendi gjithashtu projektligjin unik për sigurime sociale i cili, sipas tij, do të bëhet në baza ndërkombëtare në 4 shtylla.
Anëtarja e këtij komisioni, Fatmire Kollçaku, e ka konsideruar telash të madh moszbatimin e kontratës kolektive në sektorin privat.
Aktualisht, 22 skema sociale financohen nga shteti i Kosovës.
Buxheti, i cili është tashmë në Parlament, për këtë ministri, për vitin e ardhshëm, planifikohet të jetë 465.8 milionë euro.
Në krahasim me vitin e kaluar, buxheti i MPMS-së planifikohet të rritet për 57 milionë euro, apo për 14%.