Edhe tri javë Kuvendi i Kosovës pritet të shkojë në pushim vjetor dhe prapa do të lërë një varg projektligjesh në procedurë. Në mesin e projektligjeve që do të mbesin në pritje është edhe Projektligji për pagën minimale, si dhe ai për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Në procedurë të shqyrtimit, Kuvendi ka më shumë projektligje të vitit të kaluar sesa të sivjetmit
Janë 39 projektligje të iniciuara prej vitit të kaluar e të cilat Kuvendi i Kosovës i ka ende në procedurë pa arritur t’i miratojë. Bashkë me to, edhe 22 projektligje të tjera të këtij viti presin shqyrtim, derisa Kuvendi shumë shpejt do të shkojë në pushim vjetor.
Deputetët pritet të shkojnë në pushim në mes të gushtit dhe, sipas Rregullores në fuqi, sesionin vjeshtor duhet ta fillojnë të hënën e dytë të shtatorit. Pushimi i deputetëve pritet që ta shtyjë edhe më tej shqyrtimin e disa projektligjeve të rëndësishme. Me këtë ritëm të shqyrtimit të projektligjeve, pa u trajtuar së paku deri në mes të shtatorit, ndër të tjera, pritet të mbesë Projektligji për pagën minimale, ai për Qeverinë, si dhe në procedurë është edhe Projektligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në Kuvend ka projektligje që presin për miratim për më shumë se një vit, siç është rasti me Projektligjin për festat zyrtare, që vazhdon të endet nga seanca në seancë. Madje, më shumë se gjysma e projektligjeve që janë në pritje i kanë tejkaluar të gjitha afatet procedurale për shqyrtim, të parapara me Rregulloren e Kuvendit.
Njësoj, kohë të gjatë për miratim në lexim të dytë po merr edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit, me ç ‘rast që nga miratimi në parim kanë kaluar 5 muaj. Për të, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, nuk ka treguar ndonjë datë nëse eventualisht mund të sillet në seancë plenare para pushimit.
“Në bazë të të dhënave që i kam prej Komisionit, pritet që shumë shpejt të vijë në votim në Kuvend. Nuk më është dhënë një datë e caktuar, por që jam e njoftuar që është vetëm se në përfundim”, ka thënë Bogujevci.
Që prej fillimit të sesionit pranveror e deri më tash, Kuvendi ka miratuar 55 ligje dhe gjithsej 61 projektligje i ka në procedurë. Në një raport të Institutit Demokratik të Kosovës, grumbullimin e projektligjeve në procedurë kryesisht e kanë shkaktuar zgjedhjet e kaluara komunale.
“Numri i madh i projektligjeve që i ka Kuvendi aktualisht në procedurë vjen për shkak të dinamikës shumë të ultë të punës në sesionin e kaluar, pasi që zgjedhjet lokale që e kishte marrë vëmendjen e të gjitha subjekteve politike parlamentare. Janë 80 projektligje që nuk kishin arritur që të miratohen, të cilat ishin bartur nga viti 2021 për këtë vit, duke e stërngarkuar kështu agjendën e Kuvendit dhe të komisioneve parlamentare”, është thënë në këtë raport.
Që nga fillimi i legjislaturës së tetë, vitin e kaluar, Kuvendi ka miratuar gjithsej 91 ligje.