Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MPJD e Kosovës kërkon nga Serbia të lirojë Nezir Mehmetajn

Ministria e Puneve te Jashtme e Kosoves - objekti

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, përmes një deklarate i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të bindin Beogradin zyrtar për të ndalë fabrikimin e akuzave, maltretimet dhe arrestimet e pabazuara, me të cilat në vazhdimësi përballën shtetasit e Republikës së Kosovës, gjatë udhëtimit nëpër territorin e Republikës së Serbisë.

Shkas për këtë deklaratë, është vazhdimi i paraburgimit nga autoritetet serbe për shtetasin kosovar, Nezir Mehmetaj, i cili u arrestua nga policia serbe më 4 janar, në pikën kufitare në Merdare, derisa po kthehej nga Zvicra në Kosovë, me pretekstin se dyshohet për krime lufte.

Ndërlidhesë e Republikës së Kosovës në Beograd është përpjekur për të siguruar lirimin e Mehmetaj, familja e të cilit ka angazhuar një avokat lokal, mirëpo në vend të lirimit, Prokuroria serbe ia ka zgjatur paraburgimin, duke dëshmuar edhe njëherë se drejtësia serbe e ka të pamundur të tregohet e paanshme ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës.

Mehmetaj vizitohet në baza javore nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd. Po ashtu, pas njoftimit nga Zyra Ndërlidhëse, Zyra e Përfaqesuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së ka bërë të ditur se është duke ndjekur nga afër rastin në fjalë.

Kjo praktikë e autoriteteve serbe është në kundërshtim edhe me Marrëveshjen e Brukselit.

Edhe Familja kërkon ndihmë për lirimin e Mehmetajt nga burgu në Serbi Arbëri Familja kërkon ndihmë për lirimin e Mehmetajt nga burgu në Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës do të mbetet e angazhuar në mënyrë aktive për të siguruar lirimin e z. Mehmetaj dhe kthimin e tij në familje.

Serbia duhet të ndalojë me përndjekjet dhe arrestimet politike të shtetasve të Kosovës, të respektojë të drejtat elementare të njeriut, njëra prej të cilave është edhe e drejta e lëvizjes së lirë.